Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij do të “arrijë të gjitha qëllimet e kësaj lufte” dhe paralajmëroi se “lufta nuk ka mbaruar”, vetëm disa ditë pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Në një fjalim për të përkujtuar ushtarët e rënë izraelitë të enjten, kur Izraeli po shënon përvjetorin e sulmeve të 7 tetorit, Netanyahu këmbënguli se Izraeli po lufton në vijat e frontit në rajon.
“Kushdo që ngre dorën kundër nesh e di tashmë se do të paguajë një çmim shumë të lartë për agresionin e tij. Ne jemi të vendosur ta çojmë fitoren deri në fund, një fitore që do të formësojë rrjedhën e jetës sonë për shumë vite”, tha Netanyahu.
Ushtria izraelite intensifikoi luftimet në fronte të shumta në rajon pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor – duke nisur sulme ndaj Iranit, në Liban dhe Siri.
“Sfida të mëdha ende na presin, nga armiqtë që kërkojnë të riarmatosen. Sfida të mëdha – dhe përkrah tyre, mundësi dramatike për të zgjeruar rrethin e paqes”, shtoi ai.
Më herët këtë javë, zyrtarët izraelitë dhe të Hamasit liruan më shumë se 1,700 palestinezë që Izraeli i mbante pa akuza, 250 të burgosur palestinezë dhe 20 pengje të mbetura gjallë. Por në Izrael, një pjesë e këtij lehtësimi është eklipsuar nga zemërimi për vonesën e lirimit të pengjeve të ndjera nga Hamasi.
Netanyahu u zotua përsëri të enjten se do të “kthejë të gjithë pengjet”.
Dy vjet bombardime izraelite kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, duke i komplikuar përpjekjet për të rikuperuar disa nga trupat e pengjeve të vdekura dhe për të shpëtuar dhjetëra mijëra palestinezë nga rrënojat. m.p.
