Sam Altman, drejtuesi ekzekutiv i OpenAI, kompanisë që qëndron pas ChatGPT, ka pranuar se ka bërë një gabim të madh në fillimet e saj, duke refuzuar të merrte një pjesë të aksioneve të kompanisë. Një vendim që sot, pas rritjes së jashtëzakonshme të OpenAI, mund t’i kishte siguruar atij një pasuri prej miliarda dollarësh.
Gjatë një bisede në samitin DealBook të The New York Times, më 18 nëntor, Altman rikujtoi diskutimet e para për strukturën e pronësisë së kompanisë. Bashkëthemeluesi dhe presidenti i OpenAI, Greg Brockman, tregoi se në atë kohë e kishte këshilluar Altmanin të pranonte një pjesë të aksioneve dhe kishte këmbëngulur për këtë mundësi.
“Kur po krijonim fillimisht strukturën, i thashë se duhej të merrte aksione dhe e mbështeta këtë ide. Ishte një nga çështjet për të cilat nuk binim dakord”, tregoi Brockman.
Megjithatë, Altman kishte vendosur të mos përfitonte nga kjo mundësi, duke qëndruar në të njëjtin qëndrim edhe përballë këmbënguljes së bashkëthemeluesit të tij. I pyetur për këtë vendim, ai pranoi hapur: “Duhej ta kisha dëgjuar Gregun”.
Diferenca mes dy drejtuesve është veçanërisht e dukshme sot. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë një procesi gjyqësor në maj të këtij viti, pjesa e aksioneve që zotëron Brockman në OpenAI vlerësohej në afro 30 miliardë dollarë. Ndryshe nga Brockman, Sam Altman nuk zotëron asnjë aksion në OpenAI, edhe pse ka qenë në krye të kompanisë gjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt shndërrimit në një gjigant të inteligjencës artificiale.
Gjatë bisedës, të dy drejtuesit u pyetën nëse kjo diferencë në pronësinë e kompanisë mund të ndikonte në marrëdhënien e tyre profesionale. Ata i minimizuan mundësitë për ndonjë përplasje, ndërsa Brockman tha se e kishte respektuar bindjen e Altmanit në atë kohë, edhe pse nuk ishte dakord me zgjedhjen e tij.
Altman, nga ana tjetër, mbrojti përkushtimin e tij ndaj kompanisë, duke theksuar se vitet e punës dhe sakrificat gjatë drejtimit të OpenAI dëshmojnë angazhimin e tij. Ai ka qenë në krye të kompanisë për shtatë vjet si drejtor ekzekutiv, ndërsa ka qenë pjesë e saj që prej themelimit.
OpenAI u krijua në dhjetor të vitit 2015 si një organizatë jofitimprurëse, me synimin për të zhvilluar inteligjencën artificiale në shërbim të njerëzimit. Në atë periudhë, struktura e saj nuk ishte ndërtuar mbi modelin tradicional të një kompanie tregtare, ku themeluesit përfitojnë përmes aksioneve.
Megjithatë, kostot gjithnjë e më të larta të zhvillimit të teknologjive të avancuara dhe nevoja për investime të mëdha e shtynë kompaninë drejt një modeli të ri organizimi, që kombinon aktivitetin tregtar me mbikëqyrjen jofitimprurëse.
Pavarësisht se nuk zotëron aksione në OpenAI, Altman ka krijuar një pasuri të konsiderueshme përmes investimeve të tjera, përfshirë pjesëmarrje në kompani si Reddit, Stripe dhe Helion Energy. Por rritja e jashtëzakonshme e OpenAI dhe vlera prej afro 30 miliardë dollarësh e aksioneve të Brockman e kanë rikthyer në vëmendje vendimin e tij të hershëm.
Një zgjedhje që në atë kohë mund të ishte parë si çështje parimore, sot është kthyer në një prej vendimeve financiare për të cilat vetë Altman pranon se do të kishte vepruar ndryshe./ad
