Romanin Crooked Cross të Sally Carson, të shkruar dhe vendosur gjatë ngritjes së nazizmit, e karakterizon aftësia për të treguar si lind ekstremizmi dhe çfarë force morale nevojitet për t’i bërë ballë.
Charlotte Higgins
Pak ditë më parë, pyeta një të njohur amerikan – siç ndodh shpesh këto kohë – se si e sheh “atë”, pra situatën politike në vendin e tij. Ai mori frymë thellë dhe tha:
“Sipas mendimit tim, SHBA ndodhet në një pozitë shumë të ngjashme me Gjermaninë e viteve 1933–34. Dhe duhet të pyesim: a mund të ishin shmangur vitet 1936, 1937, 1938? Ja, aty jemi sot. Mund të thuash se fashizmi s’mund të ndodhë në SHBA. Por unë them se juria ende s’ka dhënë vendim.”
Fjalët e tij më tingëlluan veçanërisht domethënëse, sepse sapo kisha mbaruar së lexuari një roman të jashtëzakonshëm pikërisht mbi Gjermaninë e viteve 1933–34 – një libër i shkruar në vitin e parë dhe botuar në të dytin. I harruar për dekada, Crooked Cross (Kryqi i shtrembër), me ngjarje në Bavari, u ribotua në prill nga Persephone Books, një shtëpi botuese që merret me ringjalljen e veprave të lëna në harresë. Që prej asaj kohe, libri është bërë një sukses i papritur, një “zbulim” që përcillet dorë më dorë.
Ngjarjet e romanit nisin në dhjetor të vitit 1932 dhe mbarojnë në mesverën e vitit pasardhës. Skena është qyteti imagjinar bavarez Kranach, një vend piktoresk në këmbët e Alpeve. Në qendër është familja Kluger – prindër të mirë e të dashur dhe tre fëmijë të rritur, Helmy, Lexa dhe Erich – të mbledhur për të festuar Krishtlindjet me kushërinjtë dhe të fejuarin e Lexës, Moritz. Gjithçka është e ngrohtë dhe plot premtime: pema me stolitë e saj, dhuratat e mbështjella me letër, këngët e festës, pula e pjekur. Çdo gjë është e mrekullueshme, “madje edhe – siç lexohet me një të dridhur që thellohet nga vetëdija e lexuesit të shekullit XXI se ku do të përfundonte gjithçka – fotografia e Hitlerit mbi piano e Helmy-t”.
Carson shkroi edhe dy vazhdime të Crooked Cross-it. E gjithë trilogjia u botua deri në vitin 1938. Në vitin 1941, ende pa mbushur të dyzetat, ajo vdiq nga kanceri. Nicola Beauman, themeluese e Persephone Books, e zbuloi emrin e saj rastësisht në një libër akademik për shkrimtaret e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të XX. Në vitin 1934, Crooked Cross u prit mirë nga kritika, por pa bujë të madhe, dhe shpejt u harrua (megjithëse Madeline Linford, redaktore e parë e faqes së grave në Manchester Guardian, e zgjodhi si librin e vitit).
Sipas mendimit tim, romani ishte “para kohe”: ai lëshonte alarmin për drejtimin që po merrte Gjermania përpara se publiku britanik të ishte gati ta dëgjonte. Disa kërkime të hollësishme nga Persephone zbuluan se Carson kishte lindur në Surrey në 1902, ishte rritur në Dorset nga e ëma e ve dhe punonte si lexuese në një shtëpi botuese. Shumë pushime i kalonte në Bavari – prandaj edhe njohja e thellë e krahinës.
Një nga gjërat më të jashtëzakonshme të këtij libri është immediacia e tij. Ai u shkrua në kohën kur ngjarjet po ndodhnin, dhe u botua menjëherë. Periudha gjashtëmujore që mbulon përfshin ndryshime të mëdha politike: Hitler u bë kancelar, nazistët fituan shumicën në Reichstag, u hap kampi i Dachau-t, dhe hebrenjtë u përjashtuan nga administrata publike.
Në fillim të romanit, personazhet përshëndeten me një “Grüss Gott” miqësor; në fund, zoti Kluger i përshëndet të njohurit me “Heil Hitler”, dhe kambanat e kishës lokale janë rregulluar të bien sipas melodisë së himnit nazist Horst Wessel Lied. Brenda vetëm gjashtë muajsh, familja e ngushtë dhe e dashur Kluger është copëtuar. Lexuesi i vëmendshëm e kupton që në faqet e para se i fejuari i Lexës, Moritz Weissman – një katolik i devotshëm që del nga mesha e Krishtlindjeve – ka një mbiemër hebraik.
Leximi i këtij romani, me përvojën historike që Carson vetë s’e kishte, është një eksperiencë e jashtëzakonshme, herë-herë e dhimbshme. Për ne, në vitin 2025, gjithçka që ajo përshkruan ecën drejt një përfundimi të pashmangshëm: lufta, Holokausti. Për të, ato ishin ende makthe të papara (megjithatë, në një pasazh të errët, prindërit e moshuar Kluger i pyesin djemtë e tyre të joshur nga nazizmi: “A doni një luftë tjetër?”).
Megjithëse shumë ndryshe si vepër, ndjesia e menjëhershme që përcjell më kujton kuartetin sezonal të Ali Smith-it, romani i parë i të cilit, Autumn, u shkrua dhe u botua menjëherë pas votimit për Brexit në vitin 2016.
Ajo që e bën Carson kaq mbresëlënëse është forca e saj morale e palëkundur. Edhe pse nuk e dinte se ku do ta çonte Hitleri Gjermaninë, ajo nuk kishte asnjë mëdyshje morale: ajo që po ndodhte ndaj hebrenjve dhe komunistëve ishte, në mënyrë të qartë, e tmerrshme. Qysh në vitin 1933, Carson shkruante për historitë e zymta që dilnin nga Dachau: “Njerëzit zhdukeshin papritur, pa gjyq, pa shpjegim”; “të burgosurit ishin gjysmë të uritur, të poshtëruar, të trajtuar në mënyrë çnjerëzore.”
Jo çdo i huaj shkruante kështu për Gjermaninë e Hitlerit në atë kohë. Një profil trepjesësh i Hitlerit në The New Yorker, nga Janet Flanner (1936), ishte një kryevepër në mënyrën e vet – plot detaje për qullin që pëlqente Führer-i dhe për rrobaqepësin e tij (“Ai zgjedh me kujdes një rrobaqepës të dorës së dytë”). Por toni i saj ironik, distanca, dhe mungesa e një shikimi të gjerë mbi atë që po ndodhte realisht në Gjermani, e bëjnë edhe një shembull tronditës të dështimit për të parë pyllin nga pemët.
Crooked Cross nuk i afrohet kurrë më shumë Hitlerit sesa ajo fotografi mbi piano. Politika zhvillohet në sfond, përshkruhet vetëm nëpërmjet pasojave që ndihen te familja Kluger dhe qyteti i tyre i vogël. Në një farë mënyre, romani është i thjeshtë dhe familjar, me një ton të ndershëm e serioz. Për mua, pikërisht kjo e bën të vlefshëm: ai nuk bën gabimin t’i trajtojë nazistët si qesharakë, siç ndodhte shpesh në Angli. Fokusi te njerëzit e zakonshëm e bën romanin shumë më depërtues për të kuptuar nazizmin, përhapjen dhe joshjen e tij, sesa profilizimet e Hitlerit në shtypin perëndimor.
Familja Kluger, si miliona familje të tjera gjermane, mbart plagët e Luftës së Parë Botërore dhe pasojat e kolapsit ekonomik. Djemtë nuk gjejnë punë të qëndrueshme; Helmy është i papunë, ndërsa Erich punon me pak kënaqësi si instruktor skish.
Carson na tregon se si ekstremizmi, kur merr hov, i jep këtyre të rinjve qëllim, punë, një narrativë, shpresë dhe role të qarta. Ai gjithashtu u jep një grup njerëzish për t’i urryer – socialistët dhe hebrenjtë – për t’i fajësuar, ndëshkuar, dhe shumë shpejt, për t’i rrahur e vrarë. Ndërgjegjja morale e hekurt e Carson ecën paralel me ndjeshmërinë e saj njerëzore. Këta të rinj nuk janë vetvetiu të ligj; por ata zgjedhin atë që zgjedhin.
Paralelet me ditët e sotme janë të pamohueshme. Sikur të kishim të gjithë mprehtësinë dhe qartësinë morale të Sally Carson-it.
*Charlotte Higgins është kryeredaktore e kulturës në “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
