Last Updated on 19/10/2025 by EL
Publikohet audioja e debatit në sallën e gjyqit në Gjykatën e Elbasanit, ku avokati Ulian Bajrami i drejtohet me tone kërcënuese prokurorit Gjergj Ceka. Ai u thirr për të dhënë sqarime në Komisariat dhe më pas u arrestua për “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, dhe “Kanosja e gjyqtarit”.
Ka qenë avokati Arben Llangozi që ka publikuar audion në rrjete sociale, teksa dëgjohet avokati duke thënë se të dhënat e pasqyruara janë të rreme dhe në një moment thotë “do të merrem personalisht me prokurorin”. Gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyn menjëherë duke e kritikuar për gjuhën e përdorur.
Pjesë nga diskutimi:
Avokati Ulian Bajrami: Bazohet te disa prova, një ndër to tregon që ka pasqyrim të rreme të të dhënave, dhe do të merrem personalisht edhe me prokurorin…
Gjyqtarja Megi Strakosha: Avokat nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi se çfarë do të bëni ju jashtë kësaj salle. Do të marr masa nga ato që parashikon Kodi i Procedurës. Ky lloj komunikimi në këtë sallë gjyqi me mua si gjyqtare nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja e të pandehurit tënd ose do të xcaktohet një avokat kryesisht dhe do të të nxjerr përjashta. Paralajmërimi i fundit.
Avokati: Mesa pashë konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme.
Përplasja mes avokatit Ulian Barjami dhe prokurorit Gjergji Ceka ka ndodhur gjatë seancës së zhvilluar dje për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, disa prej të cilëve u gjetën të armatosur. Mes të arrestuarve ishte dhe Maksim Suçi, klienti i avokatit Ulian Barjami. 50-vjeçarit iu caktua masa e sigurisë “arrest në burg”. Maksim Suçi alias Lika njihet edhe si mik i Emiljano Shullazit./e.t
