Organizata Screen Devon, që mbështet prodhimet filmike në jugperëndim të Anglisë, ka nisur një nismë ambicioze për të hartuar një bazë të dhënash me lokacione filmike në qarkun Devon, me synimin për të tërhequr më shumë produksione kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë projekte madhështore si seriali i ri “Harry Potter”.
Me peizazhe që variojnë nga fusha të hapura deri te fshatrat piktoreske angleze, Devon po përpiqet të pozicionohet si një prej qendrave më tërheqëse të kinemasë britanike, raporton BBC.
Sipas Claire Horrocks, e cila drejton këtë iniciativë për Screen Devon, qëllimi është ta bëjë sa më të lehtë për producentët gjetjen e skenave perfekte për historitë e tyre.
“Kaloj shumë kohë duke kërkuar në harta dhe duke kontaktuar pronarë që mund të jenë të gatshëm të pranojnë xhirime në pronat e tyre”, shpjegon ajo.
“Marrim kërkesa nga më të çuditshmet, nga pyje që ngjajnë me shtetet amerikane, deri te rrugë të gjata e të braktisura. Pyjet dhe godinat e rrënuara janë në kërkesë të lartë.”
Nga Harry Potter te “The Roses”
Në qershor të vitit 2024, ekipi i filmit “The Roses”, me aktorët Benedict Cumberbatch dhe Olivia Colman, shndërroi restorantin The Winking Prawn në Salcombe në një lokal fiktiv me emrin “We’ve Got Crabs”.
Ndërkohë, xhirimet e serialit të ri “Harry Potter” janë zhvilluar në disa zona të Devon dhe Cornwall, me lokacione të konfirmuara si Cadgwith, Carnglaze Caverns, si dhe Lustleigh në Devon.
“E dimë që kur seriali të dalë në transmetim, do të ketë një efekt shumë pozitiv në turizmin filmik”, thotë Horrocks.
“Produksionet e tilla sjellin energji, krenari lokale dhe ndikim ekonomik të ndjeshëm në zonë.”
Ekonomi lokale dhe “screen tourism”
Sipas Horrocks, përfitimet e komunitetit shkojnë përtej periudhës së xhirimeve. Pjesë e rëndësishme e strategjisë është përdorimi i ekipeve lokale, gjë që përforcon ekonominë e zonës dhe ndihmon zhvillimin e talenteve të reja në industrinë filmike britanike.
Ajo u bën thirrje pronarëve të pasurive me hapësira unike apo të pazbuluara, si pyje, godina të braktisura apo peizazhe të pazakonta, të kontaktojnë Screen Devon për t’u përfshirë në bazën e të dhënave.
“Sa më shumë të dimë, aq më shumë mund të ofrojmë dhe aq më shumë produksione mund të sjellim në Devon”, thekson ajo.
Kjo nismë shihet si një hap i rëndësishëm për diversifikimin e industrisë kinematografike britanike, duke nxjerrë në pah bukuritë e natyrës dhe arkitekturës së rajoneve që shpesh mbeten jashtë qendrës së vëmendjes./KM
