Situata humanitare në Gaza ka hyrë në një fazë të re alarmante dhe afatgjatë. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se Gaza po përballet me një katastrofë shëndetësore që do të zgjasë për breza të tërë, për shkak të kombinimit vdekjeprurës të urisë, kolapsit të sistemit shëndetësor dhe shpërthimit të sëmundjeve infektive.
Në një intervistë për BBC Radio 4, ai theksoi se ndihma humanitare që po hyn në territor është shumë më pak se ç’kërkohet për të rikthyer shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor.
“Kjo është një krizë për brezat që do të vijnë. Gaza ka nevojë për ndihmë të madhe dhe të menjëhershme. Ndërhyrja është e vonuar dhe tepër e kufizuar,” tha ai.
Pavarësisht një armëpushimi të brishtë mes Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi më 10 tetor, dhe përpjekjeve ndërkombëtare për të rritur sasinë e ndihmës, autoritetet shëndetësore ndërkombëtare thonë se Gaza është buzë kolapsit total humanitar.
Dr. Tedros deklaroi se vetëm 200-300 kamionë ndihme po hyjnë çdo ditë, ndërkohë që nevojiten të paktën 600 për të përballuar krizën.
Ai bëri thirrje që Izraeli të “shkëputë ndihmën humanitare nga konflikti”, duke e kritikuar vendosjen e kushteve për dërgesat – përfshirë kërkesat për kthimin e trupave të pengjeve izraelite – si pengesë për ndihmën emergjente.
“Ndihma nuk mund të shndërrohet në armë. Kjo bie ndesh me çdo parim humanitar”, theksoi ai.
Furnizimet mjekësore dhe materialet për ngritjen e spitaleve fushore, sipas OBSH-së, po ndalohen në kufi për arsye të dyshimeve të përdorimit të dyfishtë ushtarak. Edhe sendet bazike si tendat dhe shtyllat për strukturat e përkohshme janë bllokuar.
Ndërkohë, mijëra palestinezë presin evakuim mjekësor, por nuk ka pasur asnjë fluturim për dy javë për shkak të festave në Izrael. Dr. Tedros tha se 700 njerëz kanë humbur jetën më parë duke pritur për t’u evakuuar.
Bilanci i luftës
Që nga 7 tetori 2023, kur militantët e Hamasit kryen një sulm të përgjakshëm në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje, Izraeli ka nisur një fushatë intensive ushtarake në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi, të paktën 68,229 palestinezë janë vrarë deri më tani.
Rindërtimi i Gazës do të kërkojë miliarda. Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se rindërtimi i Gazës do të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë. OBSH parashikon se 10% e kësaj shume duhet të dedikohet vetëm për sistemin shëndetësor, i cili është thuajse i shkatërruar.
“Paqja është ilaçi më i mirë,” përfundoi Dr. Tedros. “Por kur edhe gjatë armëpushimit njerëzit vriten, kjo nuk është paqe. Është thjesht një pauzë për të vdekur më vonë.”/ K.M