Princesha Charlene është rikthyer në qendër të vëmendjes gjatë festimeve për Ditën Kombëtare të Monakos, ku u shfaq krah bashkëshortit të saj, Princit Albert II, dhe dy fëmijëve të tyre, Jacques dhe Gabriella.
Familja mbretërore mori pjesë fillimisht në ceremoninë fetare të mbajtur në katedralen e Monakos. Më pas, ata u shfaqën në ballkonin e pallatit princëror, ku përshëndetën qytetarët dhe të pranishmit që kishin dalë për të ndjekur festimet.
Për këtë event, Charlene kishte zgjedhur një veshje elegante në të bardhë, të kombinuar me një aksesor të veçantë në flokë, duke ruajtur stilin e saj të rafinuar. Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen në fotografitë e publikuara ishte shprehja e saj serioze, e cila shoqëroi pjesën më të madhe të paraqitjes publike.
Edhe pse pati disa momente kur buzëqeshi pranë fëmijëve të saj në ballkonin e pallatit, imazhet e tjera rikthyen në diskutim nofkën që mediat i kanë atribuar prej vitesh: “princesha më e trishtuar në botë”.
Charlene, ish-notare profesioniste nga Afrika e Jugut, u martua me Princin Albert II në vitin 2011. Që prej asaj kohe, paraqitjet e saj publike dhe shprehja shpesh serioze janë bërë vazhdimisht objekt vëmendjeje dhe komentesh në media./mxh
