30 tetor 1974, – Kinshasa, Zaire
Nga Leonard Veizi
Ndodh që sporti të dojë të dalë nga tabela e rezultateve për të hyrë në botën e mitit. Kjo ndodhi natën e 30 tetorit 1974, në Kinshasë. Nën një qiell të rëndë ekuatorial, në orën katër të mëngjesit – orar i diktuar nga televizioni amerikan – 60 mijë zëra u bashkuan në një refren të vetëm, primitiv dhe të drejtpërdrejtë: “Ali, boma ye!” – “Ali, vrite!”…
…Në zemër të Zairit, sot Republika Demokratike e Kongos, ngjitej në ring ndeshja që do të përcaktonte shekullin e boksit: Muhammad Ali kundër Xhorxh Formanit, e pagëzuar përgjithmonë si “The Rumble in the Jungle”.
Në letër ishte një duel për kurorën e peshave të rënda. Në realitet, ishte përplasja e dy botëve. Forca kundër qëndresës. Grushti kundër mendjes.
Ali vs Forman – dy Amerikë përballë njëra-tjetrës
Muhammad Ali vinte në Afrikë si i dëbuar i kohës së vet. Ish-kampion olimpik dhe botëror, ai kishte humbur vitet më të mira të karrierës pasi iu hoq licenca për refuzimin për t’u rekrutuar në luftën e Vietnamit. Nuk ishte më thjesht një boksier. Ishte bërë simbol – i dinjitetit, i mosbindjes qytetare, i njeriut që nuk përkulet.
Në moshën 32-vjeçare, këmbët nuk i kishin më shpejtësinë e dikurshme, por pesha e emrit të tij ishte më e madhe se kurrë.
Përballë tij qëndronte Xhorxh Forman. Një forcë e natyrës. Më i ri, më i lartë, më i rëndë, pronar i grushtit më shkatërrues që kishte parë kategoria. Deri atëherë i kishte mbyllur ndeshjet pothuajse gjithmonë me nokaut brenda dy-tre raundeve. Boksi i tij nuk ishte teknikë, ishte prishje. Për shumicën e ekspertëve, kjo ndeshje ishte caktuar të ishte funerali sportiv i Aliut.
Strategjia e rraskapitjes
Ali e dinte se forcën nuk e mund me forcë. Prandaj shpiku diçka që askush nuk e kishte guxuar: “rope-a-dope”.
Në vend që të kërcente rreth ringut, siç kishte bërë gjithë jetën, ai u mbështet me kurriz në litarë. Mbuloi kokën dhe trupin dhe e ftoi Formanin të godiste. E la të shfrynte. Çdo grusht i rëndë i Formanit përplasej në bërryla, në doreza, në litarët elastikë që ia merrnin fuqinë.
Ndërsa kampioni harxhonte energji, Aliu fliste. E provokonte me zë të ulët: “A ky është grushti yt, Xhorxh? Më zhgënjeve!”
Ishte një lojë nervash dhe lodhjeje. Formani godiste si çekiç, por godiste boshin. Turma, e mahnitur nga guximi i atij që nuk rrëzohej, brohoriste pa pushim.
Nokauti i përjetësisë
Raundi i tetë. Formani ishte bosh. Krahët që në fillim ishin si gurë, tani ishin shtyrje të rënda e të lodhura. Ishte momenti që Aliu kishte pritur për shtatë raunde.
U shkëput nga litarët. Goditi. Një kombinim i shpejtë, i pastër, i pamëshirshëm, i mbyllur me një të djathtë direkt në fytyrë. Formani u rrëzua si një pemë e prerë.
Salla shpërtheu. I pamposhturi ishte në tokë. Arbitri numëronte. Aliu ishte rikthyer mbret.
Ajo fitore e kapërceu ringun. Ishte triumfi i inteligjencës mbi muskulin, i durimit mbi dhunën, i besimit te vetja kur askush tjetër nuk besonte më.
Në një kohë kur bota kërkonte një hero që sfidonte pushtetin, Aliu e dha. Jo me një fjalim, por me një kurth taktik dhe një grusht.
“Unë jam më i madhi”, kishte thënë dikur dhe ishin tallur me të. Atë natë, në zemër të Afrikës, ai nuk u bë thjesht kampion bote. U bë figura më ikonike që ka njohur ndonjëherë sporti.
