Last Updated on 02/11/2025 by EL
Një 20-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi mbante dhe përdorte padrejtësisht uniformën e Policisë së Shtetit, duke u prezantuar si efektiv policie.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë i riu me iniciale E. B., 20 vjeç, banues në Kamëz, të cilit gjatë një kontrolli nga “kolegët’ e tij, ai u konstatua i veshur me uniformë dhe stema policore të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Pas verifikimeve, rezultoi se i riu nuk ishte punonjës i Policisë.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët sekuestruan 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara si të falsifikuara1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra, një uniformë të Policisë së Shtetit,16 stema dhe grada policore si dhe 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të uniformës policore.
Policia njofton se vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe për verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i përfshirë në veprimtari të tjera të paligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B, 20 vjeç, banues në Kamëz, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të metejshme./E,T
