Last Updated on 07/11/2025 by Kesjana
Studentët e Universitetit “Polis” zgjodhën të zhvillojnë një orë mësimi ndryshe këtë javë, jashtë ambienteve të zakonshme universitare, në zemër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group.
Zv/rektorja e universitetit, Merita Toska, tha se ky aktivitet është pjesë e filozofisë së mësimit në terren, që synon të lidhë teorinë akademike me praktikat reale të tregut.
“Sot sollëm dy grupe studentësh të arkitekturës dhe të masterit në art-dizajn. Krahas mënyrës klasike të mësimdhënies, ne sjellim studentët më afër biznesit. Jo rastësisht zgjodhëm Klik Ekspo Klik, sepse shumë nga këto kompani do të jenë punëdhënësit e ardhshëm të studentëve tanë.
Qëllimi ynë është të lidhim Akademinë me biznesin, një kontribut i madh për zhvillimin e shoqërisë”, u shpreh Toska.
Ajo shtoi se sipërmarrja dhe planifikimi strategjik i biznesit janë instrumente që studentët do t’i përdorin në çdo hap të karrierës së tyre profesionale.
Në një reflektim personal, zv/rektorja kujtoi edhe lidhjen e hershme me këtë panair:
“E njoh Klik Ekspo që në fëmijëri, në fillim të viteve ’90, kur merrnim pjesë me biznesin familjar. Klik ka ndërtuar vit pas viti një traditë të qëndrueshme dhe është zhvilluar ndjeshëm. Sot, bashkëpunimi me Akademinë sjell vlerë të shtuar për të dyja palët”, theksoi ajo.
“Windows into the Future” – Shqipëria 2030 në fokus
Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF 2025), i hapur nga 5 deri më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve, vjen këtë vit me moton “Windows into the Future”, duke reflektuar vizionin strategjik të zhvillimit të Shqipërisë drejt vitit 2030.
Në këtë edicion marrin pjesë 250 kompani vendase dhe ndërkombëtare, të cilat prezantojnë produktet, inovacionet dhe teknologjitë më të fundit në një ekspozitë katër-ditore.
Në qendër të panairit qëndron koncepti i “dritareve drejt së ardhmes” – një hapësirë ku vizitorët përjetojnë, përmes projeksioneve 3D dhe eksperiencave multisensoriale, projektet që po transformojnë Shqipërinë në dekadën e ardhshme.
Panelet kryesore të TIF 2025
Gjatë panairit po zhvillohen 11 panele tematike, që trajtojnë çështjet më aktuale për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit, mes të cilave:
Turizmi dhe projektet infrastrukturore
Energjia dhe ndërtimi i qëndrueshëm
Siguria ushqimore dhe tregjet
Transformimi digjital dhe siguria kibernetike
Një hapësirë e veçantë i është kushtuar edhe kulturës dhe artit, me panele të dedikuara për zhvillimin e kinematografisë dhe Teatrit të Operës dhe Baletit deri në vitin 2030.
Me këtë frymë bashkëpunimi dhe vizion për të ardhmen, Klik Ekspo Groupvijon të mbetet platforma kryesore ku takohen inovacioni, biznesi dhe zhvillimi ekonomik i rajonit./kb
