Last Updated on 08/11/2025 by Kesjana
Tiranë, nëntor 2025 – Me mbylljen e edicionit të fundit të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group me moton “Dritare drejt së ardhmes”, vëmendja u përqendrua tek një prej zërave më të rëndësishëm të eventit: Alexander Tsaxirlis, kreu i Panairit Ndërkombëtar të Selanikut (TIF-Helexpo) – homologu grek i këtij organizimi të përmasave të mëdha.
Në kuadër të takimeve të CEFA-s (Central European Fair Alliance), Tsaxirlis foli hapur për nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë mes vendeve të rajonit që ndajnë të njëjtin synim: zhvillimin e industrisë së panaireve dhe rritjen e lidhjeve ekonomike.
“Është jetike të kemi këto tryeza diskutimi me aktorët e fushës sonë – jo vetëm për të ndarë ide, por për të gjetur rrugë konkrete drejt përparimit. Shqipëria është në një udhëtim të qartë drejt Europës, dhe ne, si fqinj e miq, duam ta mbështesim këtë proces,” – u shpreh Tsaxirlis. “Ashtu si Greqia është pjesë e BE-së, edhe Shqipëria duhet të jetë atje – dhe ne do të jemi përkrah saj.”
Besimi – çelësi i çdo partneriteti
Teksa komentonte mbi marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, Tsaxirlis theksoi rolin e besimit të ndërsjellë si themelin mbi të cilin ndërtohet çdo partneritet i qëndrueshëm.
“Dallime ka, dhe kjo është e natyrshme. Por pa besim, nuk ecim dot përpara. Vetëm duke ndërtuar këtë besim, bizneset shqiptare do të rriten dhe ato greke do të ndihen të sigurta për të investuar,” – tha ai, duke shtuar se panairet janë një nga mjetet më të prekshme për të forcuar këto ura bashkëpunimi.
Sipas tij, këto evente nuk janë thjesht ekspozita. Janë hapësira ku lindin ide, krijohen lidhje të reja dhe forcohen marrëdhënie që zgjasin në kohë.
“Panairet nuk janë vetëm për të parë produkte – ato janë ura, ura që lidhin vendet dhe njerëzit. Shqipëria dhe Greqia e kanë këtë histori të përbashkët, këtë afërsi njerëzore. Dhe siç më pëlqen ta them shpesh… jemi më shumë se thjesht fqinj.”
Një bashkëpunim që rritet vit pas viti
Tsaxirlis vuri në dukje se partneriteti me Klik Ekspo Group tashmë është i konsoliduar dhe premton edhe më shumë për të ardhmen.
“Kliku për ne është një partner serioz. E vizitojmë prej dekadash – çdo vit ka diçka më shumë: profesionalizëm, përmasa, ide të reja. Dhe pse jo… ndoshta një ditë Kliku vjen edhe në Greqi,” – u shpreh ai me një buzëqeshje optimiste.
Më shumë se një panair – një vizion i përbashkët
Panairi i këtij viti u mbyll me një ndjenjë të qartë optimizmi: për një rajon më të bashkuar, për një Shqipëri më të afërt me Europën dhe për një marrëdhënie mes dy vendeve që nuk është thjesht ekonomike – është njerëzore, reale dhe me shumë potencial./kb
