Një ditë pas lirimit nga burgu, Nicolas Sarkozy drekoi në një restorant në Paris me gruan e tij, Carla Bruni, dhe familjen.
Ish-presidenti francez, i cili është dënuar në rastin e financimit libian të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007, u kthye në shtëpinë e tij në arondissementin e 16-të të Parisit të hënën.
Sarkozy kaloi njëzet ditë në një qeli nëntë metra katrorë në burgun Santé, në kushte që ai i përshkroi si “të tmerrshme”. Pasi kërkesa e tij për lirim u pranua nga Gjykata e Apelit, ai tha:
“Ishte e vështirë, shumë e vështirë, si për çdo të burgosur; madje do të thoja rraskapitëse”.
Të martën në mëngjes, ai bëri stërvitjen e tij të zakonshme pranë banesës së tij dhe më pas shkoi për drekë me gruan dhe anëtarët e familjes në një restorant të njohur në arondissementin e 16-të, sipas Paris Match. Edhe pse ishte ftuar, si çdo vit, në ceremonitë e 11 nëntorit nga Presidenti i Republikës, ai preferoi të mos merrte pjesë.
Tani nën mbikëqyrje gjyqësore, Nicolas Sarkozy synon të kthehet në aktivitetet e tij profesionale, sipas medias franceze. Çdo mëngjes ai do të shkojë në zyrat e tij në Avenue Miromesnil, ku do të presë personalitete, do të përgatisë apelin e tij – i cili është planifikuar për në pranverë – dhe do t’i përgjigjet korrespondencës së tij.
Gjatë paraburgimit të tij, ai mori mijëra letra mbështetjeje.
“Asnjë letër nuk do të mbetet pa përgjigje. Fundi i kësaj historie nuk është shkruar ende…”, tha shoqëruesi i tij.
Pasditet e tij do t’i kushtohen familjes së tij dhe shkrimit të librit të tij të ri.
“E kam tashmë titullin në mendje”, tha ai në prag të burgosjes së tij. “Nuk e di ende pjesën tjetër. Mund t’ju them vetëm se nuk do të jetë një roman”.
Gjatë paraburgimit të tij, rrethi i tij i ngushtë i qëndroi në krah – Carla Bruni e vizitonte rregullisht dhe postonte mesazhe mbështetjeje në mediat sociale – ndërsa tani ai do të ketë mundësinë të takojë anëtarin më të ri të familjes: nipin e tij, Sylla, i cili lindi ndërsa ai ishte në burg. m.p.
