Kapiteni i Francës, Kylian Mbappé, ka deklaruar se ekipi i “Les Bleus” do të kujtojë ata që u preken nga sulmet terroriste të 13 nëntorit 2015, kur do të përballen me Ukrainën në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. Kjo do të jetë ndeshja e 10-të vjetorit të tragjedisë që tronditi kombet dhe qytetin e Parisit.
Në atë ditë, gjatë një ndeshjeje miqësore mes Francës dhe Gjermanisë, një bombë vetëvrasëse shpërtheu pranë Portës D të Stade de France, duke shkaktuar vdekjen e një kalimtari, ndërsa ndeshja po zhvillohej para një audience të pranishme që përfshinte presidentin e atëhershëm, François Hollande. Sulmet e koordinuara terroriste në Paris që pasuan, shkaktuan gjithsej 130 viktima, ndërsa Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për këto sulme.
Në një konferencë shtypi më 12 nëntor, Mbappé tha se ekipi francez do të përpiqet të “sjellë buzëqeshje në fytyrat e atyre që do të jenë në stadium”, pavarësisht se dita nuk ishte një ditë e gëzuar për të gjithë. Ai shtoi se, edhe pse në vitin 2015 nuk ishte ende pjesë e ekipit kombëtar, ai kujton se kishte frikë për sigurinë e prindërve të tij që jetonin në periferi të Parisit.
Për trajnerin Didier Deschamps, i cili ishte në pankinën e Francës atë natë, 13 nëntori është një “detyrë e kujtesës, mbështetjes dhe dhembshurisë”. Ndërsa nga lojtarët që ishin të pranishëm në Stade de France atë natë, vetëm mbrojtësi Lucas Digne do të jetë në fushë gjatë ndeshjes së së enjtes.
Franca mund të sigurojë kualifikimin për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, nëse mund të mposhtin Ukrainën./ MXH
