Last Updated on 12/11/2025 by EL
Me nisjen e Panairit të Librit, një nga zërat më të njohur të gjuhësisë shqiptare, profesori Edmond Tupja, ishte i ftuar në studion e News24, ku foli për botimin e tij më të fundit,një vepër unike që rendit dhe analizon sharjet dhe mallkimet në gjuhën shqipe.
Profesori Tupja, i njohur për kontributin e tij në fushën e leksikologjisë dhe për qasjen e drejtpërdrejtë ndaj fenomenit gjuhësor, theksoi se edhe fjalët e forta, pavarësisht kontekstit, janë pasqyrim i realitetit të gjuhës dhe kulturës popullore shqiptare.
“Fjalorët duhet të pasqyrojnë shprehjet që përdoren, dhe ndër më të përdorurat janë sharjet e mallkimet. Më duhet të përgëzoj autorët e fjalorëve dhe leksikologët për punën e tyre, sepse në të gjithë fjalorët që kam konsultuar për këtë botim, kam gjetur sharje dhe mallkime,” u shpreh Tupja.
Ai shtoi se pavarësisht se disa prej tyre janë vulgare apo rrugaçe, ato përbëjnë një pjesë të pandarë të gjuhës së folur dhe nuk duhet të fshihen nga studimet gjuhësore.
“Ka sharje që nuk figurojnë, ato më vulgaret, që dalin nga goja e rrugacëve, por janë gjithsesi pasuri e gjuhës. Në të gjitha gjuhët e tjera, sharjet ekzistojnë sepse përdoren. Fjalori duhet të pasqyrojë dhe shpjegojë fjalët, që t’i dimë dhe t’i përdorim me kujdes, sepse njeriu edhe shpërthen dhe shan, këto janë fjalë që ekzistojnë,” shtoi profesori./e.t
