Last Updated on 12/11/2025 by EL
Vit pas viti, Shqipëria po zgjidhet nga të huajt jo vetëm për turizëm, por po preferohet edhe për të jetuar. Këtë e dëshmon artikulli i fundit i britanikes “Mirror”, e cila ka publikuar historinë e një çifti amerikan që kanë zgjedhur vendin tonë për të jetuar prej dy vitesh.
Sandra dhe Jeff Mayernik, që jetonin në Oregon të SHBA-së, ku ndiheshin të rraskapitur ndërsa luftonin për të përballuar shpenzimet e larta të jetesës, shitën gjithçka që zotëronin përpara se të vendosnin të emigronin në nëntor të vitit 2023 për të jetuar në “Maldivet e Evropës”, në Shqipëri.
“Mirror” shkruan në artikull se dy amerikanët vizituan shumë destinacione, përfshirë Portugalinë, Spanjën, Francën, Meksikën dhe Argjentinën, por aktualisht janë vendosur në Shqipëri.
Dy shtetasit amerikanë tashmë jetojnë në Sarandë, të cilën “National Geographic” e ka quajtur “Maldivet e Evropës”, ku riviera shqiptare është vlerësuar për brigjet e saj me rërë të bardhë, qytete antike dhe vendbanime piktoreske.
Por pavarësisht peizazhit mahnitës që i rrethon dhe kostove më të ulëta të jetesës, ata shprehen me shaka se kanë identifikuar dy anë problematike, siç janë monedha Lek dhe gjuha shqipe, që sipas tyre i vë shpesh në vështirësi.
Megjithatë, pavarësisht këtyre pengesave, Sandra dhe Jeff Mayernik po shijojnë avantazhet që sjell stili i tyre i ri i jetesës, disa herë më pak stresues se në Amerikë dhe, mbi të gjitha, kostot janë shumë më të lira, si pijet alkoolike apo produktet ushqimore të përditshme./e.t
