Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, vendosi të caktojë me shpejtësi një votim për projektligjin që detyron publikimin e të gjitha dosjeve të çështjes Jeffrey Epstein, pasi u kuptua se procesi nuk mund të ndalej më. Ky vendim përbën një ndryshim strategjie si për Johnson ashtu edhe për Shtëpinë e Bardhë, të cilët më herët kishin kërkuar ta vononin votimin.
Udhëheqësit republikanë në Dhomë presin që një numër i madh deputetësh të partisë së tyre të shkëputen nga presidenti Donald Trump dhe të mbështesin projektligjin dypartiak të përgatitur nga Thomas Massie (R) dhe Ro Khanna (D), që kërkon nga Departamenti i Drejtësisë publikimin e dokumenteve të Epstein. Mbështetësit synojnë të arrijnë një shumicë të mjaftueshme për të shmangur një veto presidenciale.
Burime republikane thonë se një pjesë e gjerë e grupit parlamentar është gati ta mbështesë këtë nismë, duke e bërë të vështirë frenimin e votave pro. Massie deklaroi se një shumicë prej dy të tretash në Dhomë do të rriste presionin mbi Senatin dhe ndaj presidentit Trump, i cili kundërshton projektligjin.
Sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Trump ishte informuar paraprakisht për vendimin e Johnson dhe e kuptonte se procesi ishte i pashmangshëm. Johnson madje pati shtyrë pushimet e gushtit për të shmangur votimin, ndërsa Republikanët dhe aleatët e Shtëpisë së Bardhë punuan në prapaskenë për ta bllokuar. Edhe në momentet e fundit pati përpjekje për të bindur dy kongresistet republikane që e mbështesnin iniciativën./MXH
