Inteligjenca amerikane zbulon se Irani ka “rritur ndjeshëm” përpjekjet e tij për të synuar diplomatët dhe zyrtarët amerikanë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, me komplote vdekjeprurëse që arrijnë në “faza të avancuara”, sipas një memoje të 23 tetorit drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të siguruar nga Axios.
Zyrtarët amerikanë thonë se inteligjenca është një arsye pse Departamenti i Shtetit po tërheq personelin në disa ambasada amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme, mes frikës në rritje të një konflikti më të gjerë rajonal.
Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë frikë se rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen mund të zgjerojnë sulmet e tyre përtej Arabisë Saudite në vende të tjera në rajon.
Mjedisit të paqëndrueshëm të sigurisë i shtohet edhe perspektiva e operacioneve të ripërtërira ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, potencialisht pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.
“Mund të ndërmarrim një tjetër ‘Operacion të Vogël ‘Epic Fury’ (Furi Epike), ose [iranianët] do të bien dakord [për një marrëveshje],” tha Presidenti Trump në një tubim në Florida të premten.
“Nëse janë të zgjuar, thjesht do të thonë: ‘Le t’i hyjmë punës’, por dyshoj se do ta bëjnë këtë, sepse ndoshta nuk janë të zgjuar”, tha Trump.
Në një memorandum njëfaqësh, jo të klasifikuar, të siguruar nga Axios, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, e paralajmëroi Rubion se informacioni i inteligjencës lidhur me planet iraniane për atentate duhet t’u bëhet i ditur një numri më të madh personeli amerikan, sesa atyre që aktualisht janë të autorizuar ta marrin atë.
Memorandumi nuk përcakton objektiva specifikë, vende jashtë Lindjes së Mesme apo natyrën e planeve, por thekson se informacioni bazë i inteligjencës tashmë u është përcjellë zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit.
Clayton ofroi të ulë nivelin e klasifikimit për sa më shumë të dhëna të ndjeshme të jetë e mundur, në mënyrë që Rubio të mund t’i ndajë ato më gjerësisht me personelin që mund të jetë në rrezik.
Në fillim të kësaj jave, Departamenti i Shtetit urdhëroi familjarët dhe personelin jo thelbësor që të largohen nga Ambasada e SHBA-ve në Riad, si dhe nga konsullatat në Jeda dhe Dhahran.
Të premten, Departamenti urdhëroi gjithashtu shkurtimin e personelit diplomatik dhe qeveritar amerikan në ambasadat në Emiratet e Bashkuara Arabe, Liban, Katar dhe Jordani, bëri të ditur një zyrtar amerikan.
“Vendosëm që, për shkak të kërcënimit nga sulmet e Huthëve dhe planeve iraniane për akte terrori, duhet të reduktojmë praninë tonë dhe të mbajmë vetëm stafin thelbësor,” tha zyrtari./mxh
