Avokati Dorian Matlija deklaroi se “vrasja e Aleks Nikës nuk ka qenë nga pakujdesia” dhe shtoi se me provat e 21 Janarit “është bërë masakër”.
“Bisedat e regjistruara janë një drejtim tjetër. Të gjitha së bashku do krijojnë domethënë të tillë lloj larmie provash që mund të ketë disa skenare se si do zhvillohet si çështje. Por, besoj që ka mundësi të mira për t’u zhvilluar, për t’u zbardhur vrasja e Aleks Nikës dhe sigurisht që të jeni të bindur që nuk do jetë një vrasje nga pakujdesia si në rastin e dy personave të tjerë që u gjykuan dikur. Unë e besoj që nuk ka qenë nga pakujdesia. Madje, aty është bërë një masakër me ekspertizat balistike. Po marrim një rast tepër të thjeshtë. Për të ndjerin Ziver Veizi u tha që është goditur në një kënd 45 gradë nga lart, se kështu ishte gjurma që kishte bërë predha. U tha që u shti në ajër dhe predha kishte prekur një degë peme diku dhe kishte shkuar pastaj të godiste Ziver Veizin aksidentalisht. Në fakt, nuk ekziston asnjë mundësi teknike, teorike, shkencore në këtë univers që një predhë të kthehet 45 gradë në formë rikoshete nga një copë druri. Nuk mundet dot. Maksimumi i këndit është 4 gradë, që do të thotë predha shkon shumë pjerrët që të bëjë rikoshet. Përndryshe, nëqoftëse është 5 gradë ose më shumë ajo ngulet në material dhe nuk bën rikoshet. Kjo do të thotë që nuk ka qenë kurrë një rikoshtet që mori jetën e Ziver Veizit, por ka qenë një goditje e drejtpërdrejtë. Mund të ketë pasur një devijim nga degët e pemëve që binin, po asnjëherë e goditur në ajër. Dhe nëqoftëse nuk flasim më për goditjen në ajër, por flasim goditje drejtpërdrejtë mbi turmë, jo detyrimisht për të vrarë Veizin, por për të goditur dikë nga turma, kjo quhet vrasje me dashje indirekte, njihet në terminologjinë juridike, dashje të tërthortë që nuk dënohet më deri në pesë vjet burg, siç ishte rasti i dikurshëm, por shkon pastaj dënimi 25 vjet”, shtoi Matlija.
“Këto gjëra u shtruan për diskutim në gjykatën e Strasburgut dikur në çështjen Myrtaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë, por qeveria shqiptare i ofroi atyre familjeve në atë kohë një zgjidhje me pajtim dhe çështja u mbyll me pajtim me premtimin që qeveria shqiptare do të bënte përpjekje ta rihapte hetimin. Le të themi që kjo sot po ndodh, por nuk po ndodh për ata, për Faik Myrtaj, për Ziver Veizin, për Hekuran Dedën, por po ndodh për Aleks Nikën. Gjithsesi, mendoj që nëse do të vihet drejtësi për Aleksnikën në rastin konkret indirekt do vendoset drejtësi dhe për personat e tjerë sepse në të njëjtin skenar në të njëjtën mënyrë u vranë të gjithë ç’është e vërteta”, theksoi më tej avokati. /K.M
