Një analizë e gjerë e publikuar nga British Journal of Sports Medicine ka sjellë një zbulim të rëndësishëm për shëndetin publik: edhe vetëm 11 minuta ecje në ditë mund të ulin dukshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe vdekjeve të parakohshme. Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 30 milionë njerëzve nga vende të ndryshme dhe arritën në përfundimin se aktiviteti fizik i lehtë, i kryer në mënyrë të rregullt, mjafton për të sjellë përmirësime të ndjeshme.
Sipas tyre, personat që ecin minimalisht 11 minuta në ditë përfitojnë një ulje prej 20–25% të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare. Arsyet kryesore lidhen me qarkullimin e gjakut, uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e metabolizmit. Ekspertët këshillojnë që ecja mund të kryhet në çdo moment të ditës, pa pasur nevojë për pajisje apo palestër, gjë që e bën atë të aksesueshme për të gjithë.
Ky zbulim vjen në një periudhë ku stili i jetesës sedentare është bërë normë, sidomos për njerëzit që punojnë në ambiente të mbyllura dhe kalojnë shumë orë ulur. Studiuesit theksojnë se edhe ndryshime të vogla në përditshmëri mund të kenë ndikim të madh në jetëgjatësi./KM
