Duke shijuar një drekë me peshk të freskët në një nga restorantet lundruese të Halfetit, vizitorët shpesh mendojnë për jetën e dikurshme në rrugët e vjetra të qytetit, sot të braktisura dhe të fundosura disa metra nën ujë.
Halfeti ndodhet në provincën Şanlıurfa, në juglindje të Turqisë, në brigjet e lumit Eufrat, jo larg burimit të tij. Në vitin 2000, dy qytete dhe 10 fshatra të vegjël u përmbytën plotësisht pas ndërtimit të Digës së Birecikut, 60 metra të lartë dhe 2,5 km të gjerë. Më shumë se 6000 banorë u detyruan të zhvendosen.
Rreth 40% e Halfetit, një qytet me rreth 2600 banorë para ndërtimit të digës, përfundoi nën ujë. Shtëpitë prej guri, dyqanet dhe një pjesë e madhe e xhamisë qendrore Merkez Camii të shekullit XIX u zhdukën përgjithmonë. Megjithatë, zonat në lartësi më të mëdha shpëtuan, dhe sot shumë banorë jetojnë ende në pjesën e mbetur mbi vijën e ujit.
Diga e Birecikut ishte pjesë e një projekti të madh zhvillimor në rajonin e Anadollit Juglindor. Ajo prodhon rreth 2500 GWh energji elektrike në vit, mjaftueshëm për të furnizuar pothuajse një milion familje, dhe u krijua për të ujitur 70 000 hektarë tokë bujqësore. Por pavarësisht përfitimeve, ndërtimi i saj u prit me keqardhje nga vendasit. “Shumë varreza dhe shtëpi mbetën nën ujë. Kultura humbi bashkë me to”, thotë për CNN Erhan Yildirim, studiues dhe guidë vendase.
Muslum Karaman, operator i anijeve turistike, kujton se dikur Halfeti jetonte kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria, qyteti ishte i famshëm për prodhimin e fëstëkëve. “Sot gjithçka është kthyer drejt turizmit. Shumë njerëz i kanë kthyer shtëpitë e tyre në restorante apo kafene”, thotë ai. m.p.
