Last Updated on 30/04/2026 by EL
Ervin Salianji dërgoi përfaqësuesin e tij për të dorëzuar dosjen e kandidimit për kryetar PD, por selia blu i mbyll derën. Edhe Evi Kokalari thotë se dosja e saj është refuzuar. Të dy kandidatëve u mbetet vetëm rruga e dërgimit me postë.
Ndërkohë në PD është shfaqur një person tjetër me profesion mjeke, Mereme Sela, e cila dorëzoi zarfin e kandidimit.
Abc News konfirmoi se ky person është nga Durrësi, ka marrë pjesë në primare dhe ka marrë vjet vetëm 43 vota. Por çuditërisht ajo i plotëson kriteret e vëna nga Sali Berisha, i cili mesa duket do ketë një garë gazmore më 23 maj, përballë një kolegeje mjeke.
Analisti Roland Lami, i ftuar në “News Line” u shpreh se panorama që shfaqet sot në Partinë Demokratike tregon një degradim total të demokracisë së brendshme të saj, e cila pretendon të jetë alternativë pushteti.
Ai theksoi se Partia Demokratike duket se e ka ndarë mendjen që të qëndrojë në “vendnumëro” dhe pa strategji të reja për afrimin e votuesve.
Gjatë bisedës, Lami solli në vëmendjen e publikut rezultatet e sondazheve, të cilat dëshmojnë se votuesit e Partisë Demokratike kanë ikur në drejtim të paditur dhe lidhja rezonuese me partinë sa vjen e zbehet.
Ai theksoi se në PD nuk ka garë dhe ky fakt tashmë duket fare qartë.
“Në një lexim të përgjithshëm kjo tregon degradimin e demokracisë së brendshme të partive politike, specifikisht në Partinë Demokratike. Kjo forcë politike e ka ndarë mendjen që të qëndrojë në një stanacion, në kuptimin e administrimit dhe drejtimit të Partisë Demokratike. Po të shikohesh sondazhet, votuesit e Partisë Demokratike kanë ikur në një drejtim të paditur. Për sa kohë kandidon Berisha, nuk ka kandidat të fortë për ta mundur Berishë, Brenda PD jo, ndoshta jashtë ka. Krijohet ideja se në PD nuk do ketë garë.
Kandidates kam përshtypjen që i është kërkuar që të jetë përballë z. Berisha. Kjo forcë politike nuk bën edhe sikur. Gara e zonjës në fjalë është si çdo garë që ka ndodhur edhe në partitë e tjera. PD këmbëngul dhe është stoike, që t’i qëndrojë standardit më të keq duke mos ofruar garë. Të djathtët janë kapur pas logos së Partisë Demokratike, në kuptim, që nuk shohin perspektivë përtej kësaj. PD është në një krizë të thellë. “, tha ai.
Në fund, Lami pohoi se Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të rigjenerohet për sa kohë do jetë në duart e Sali Berishës. Problemet e mosreflkektimit dhe hapjes së PD sot, Lami u shpreh se do t’i ndiejnë votuesit e saj në zgjedhjet lokale të 2027.
Nuk ekziston asnjë mekanizëm dhe asnjë mundësi, që kjo forcë politike të rigjenerohet. Unë mendoj se aty zgjidhje nuk ka. Me pesimizëm të plotë them se aty nuk do ndodhë asgjë, dhe në zgjedhjet lokale do ta kuptojmë se çfarë do të ndodhë në atë parti”, tha Lami/et
