Gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili po dëshmon në Dhomat e Specializuara në Hagë, është pyetur për kontaktet e tij me UÇK-në, delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe me Hashim Thaçin.
Gjatë pyetjeve të avokatit të Thaçit, Lluka Mishetiç, Clark shpjegoi se në bisedimet e Rambujesë kishte kuptuar se ish-presidenti i Kosovës nuk ishte komandanti ushtarak i UÇK-së.
“U ftova të shkoja në Rambuje për t’i bindur serbët të pranonin marrëveshjen, e cila ndiqte të njëjtën logjikë me kërkesat e NATO-s për t’i dhënë fund dhunës. Nuk kishte një plan më të detajuar. Fillimisht nuk u lejova të merrja pjesë, por më pas m’u dha leja të takoja delegacionin e UÇK-së në fund të raundit të parë të bisedimeve”, tha Clark.
Ai kujtoi se u takua dy herë me Hashim Thaçin para nisjes së bombardimeve të NATO-s. Sipas tij, Thaçi ishte ndër figurat më me ndikim në delegacion: më i riu, i vendosur dhe bindës, me aftësi komunikimi në gjuhën gjermane. Mirëpo, siç theksoi Clark, Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak.
Kur avokati e pyeti sërish për të njëjtën çështje, Clark konfirmoi përfundimin që kishte nxjerrë. “Po, është e saktë. Kur u takuam për herë të tretë dhe kërkova informacion për situatën në terren, Thaçi nuk dukej se njihte detajet. Ne donim të dinim pozicionet e forcave, por nuk mora përgjigje prej tij”.
Sa i përket strukturës së UÇK-së, Clark deklaroi se atë kohë ekzistonin pak të dhëna konkrete. Sipas tij, inteligjenca e NATO-s besonte se UÇK-ja përbëhej nga grupe lokale të krijuara spontanisht si reagim ndaj represionit serb, sidomos pas masakrës së familjes Jashari.
“Shumë nga informacionet që kishim për UÇK-në vinin nga serbët, të cilët identifikonin zona të caktuara si pika terroriste”, shtoi ai./ K.M
