Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë me Donald Trump pasi SHBA-ja prezantoi një draft-plan pa Ukrainën për të përfunduar luftën me Rusinë. Drafti thuhet se është përgatitur nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe homologu i tij rus Kirill Dmitriev, pa pjesëmarrjen e Ukrainës.
Zelensky tha se Ukraina është e gatshme të shqyrtojë propozimet që mund të çojnë në një përfundim të drejtë të luftës, por nuk dha detaje të planit. Sipas mediave, drafti përfshin: dorëzimin e pjesëve të Donbasit nën kontrollin e Ukrainës, reduktimin e ushtrisë ukrainase dhe heqjen e disa armëve, gjë që duket e favorshme për Moskën.
Kremlini minimizoi rëndësinë e planit dhe theksoi se nuk ka konsultime zyrtare, ndërsa BE-ja paralajmëroi se çdo plan duhet të ketë mbështetjen e Ukrainës dhe Evropës.
Ndërkohë, sulmet ruse në Ukrainë vazhdojnë, përfshirë një goditje raketore dhe me dron që vrau të paktën 26 persona në qytetin Ternopil.
