Artisti rus Alexey Sergienko ka prezantuar një pikturë të re në stilin pop art, të titulluar “Shenzhen 26”, ku shfaqen së bashku presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping. Vepra u ekspozua në Shën Petersburg, në prag të takimit trepalësh, të konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, që pritet të zhvillohet në Kinë.
Në pikturë, tre liderët paraqiten të ulur krah për krah, në poza që kujtojnë drejtpërdrejt Konferencën historike të Jaltës të vitit 1945, ku u takuan Franklin Roosevelt, Winston Churchill dhe Joseph Stalin.
Sergienko e cilëson veprën si një mesazh në mbështetje të paqes globale. Artisti shprehet se shpreson që samiti t’u japë tre presidentëve mundësinë të arrijnë një marrëveshje dhe të kontribuojnë në vendosjen e paqes në botë, duke parandaluar konflikte të mëdha të armatosura.
Piktura përmban elemente karakteristike të pop artit, që ndërthurin simbolet e pushtetit, prosperitetit dhe detaje të jetës së përditshme. Mes tyre spikat filxhani i çajit në duart e Xi Jinping, ndërsa pas presidentit rus Putin është vendosur një poster me mbishkrimin “Yalta 45”./mxh
