Aerporti i Brukselit anuloi të gjitha fluturimet në ditën e tretë dhe të fundit të grevës kombëtare në Belgjikë.
Grevën e organizuan sindikatat kryesore të vendit, si pjesë e një serie protestash kundër qeverisë së koalicionit të drejtuar nga Kryeministri Bart De Wever. Protestuesit kundërshtojnë reformën e propozuar të pensioneve dhe ndryshimet në tregun e punës.
Edhe aeroporti tjetër kryesor i vendit, Aeroporti i Charleroi-t, njoftoi në faqen e tij zyrtare se priten ndërprerje të mëdha për shkak të mungesës së stafit, duke deklaruar se nuk mund të garantojë uljet dhe ngritjet e planifikuara.
Sipas mediave lokale, dita e fundit e grevës pritej të ishte më e trazuar, me shkollat, transportin publik dhe sektorin privat të prekur ndjeshëm.
Një protestë është planifikuar të mbahet në Bruksel të mërkurën pasdite. Një demonstratë e ngjashme në tetor mblodhi rreth 80,000 pjesëmarrës.
Edhe pse qeveria arriti një marrëveshje për buxhetin e vitit të ardhshëm pas muajsh negociatash të tensionuara, kjo nuk mjaftoi për të shmangur grevën./mxh