Last Updated on 16/07/2026 by EL
Policia italiane ka kryer bastisje në zyrat e disa prej markave më të njohura të luksit, mes tyre Bulgari dhe Chanel, në kuadër të një hetimi për shfrytëzim të punëtorëve në zinxhirët e furnizimit.
Sipas prokurorëve në Milano, hetimi lidhet me praktikën e përhapur të nënkontraktimit të prodhimit, ku markat e luksit ia kalojnë punën furnitorëve, të cilët më pas e delegojnë te kompani të tjera. Në fund të këtij zinxhiri dyshohet se veprojnë ndërmarrje që punësojnë kryesisht punëtorë kinezë në kushte shfrytëzuese.
Hetimi i Prokurorisë së Milanos ka përfshirë edhe marka të tjera prestigjioze si Prada, Givenchy dhe Dolce & Gabbana.
Mes kompanive të kontrolluara janë edhe Brunello Cucinelli, Etro, Goyard Italie, Jacob Cohen Company, Moncler dhe Stefano Ricci, konfirmoi prokurori i Milanos, Paolo Storari.
Më herët, disa marka, përfshirë Loro Piana, ishin vendosur nën administrim të përkohshëm gjyqësor për shkak të dyshimeve mbi kushtet e punës te furnitorët e tyre. Këto masa u hoqën pasi kompanitë ranë dakord të forconin kontrollet dhe mbikëqyrjen e zinxhirëve të furnizimit.
Qeveria italiane ka mbrojtur më parë industrinë e luksit. Ministri i Industrisë, Adolfo Urso, deklaroi vitin e kaluar se reputacioni i markave italiane të luksit “është nën sulm”./et
