Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se beson që Shtetet e Bashkuara e kuptojnë kompleksitetin e arritjes së një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
Putin, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare shtetërore në Kirgizi, foli gjatë një takimi dypalësh me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko. Dy liderët zhvilluan bisedime në Bishkek, një ditë para samitit të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të udhëhequr nga Rusia.
Presidenti rus nuk dha detaje të tjera mbi kontaktet dhe negociatat e rifilluara me zyrtarë amerikanë, të cilat synojnë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Më herët të mërkurën, Kremlini bëri të ditur se i dërguari i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, do të udhëtojë javën e ardhshme në Moskë së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë për bisedime me autoritetet ruse mbi një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën.
Trump po udhëheq përpjekjet për të siguruar një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës pothuajse katërvjeçare, e cila nisi në shkurt të vitit 2022 kur Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në territorin ukrainas.
Detajet e një plani paqeje të mbështetur nga SHBA, që dolën në publik javën e kaluar, shqetësuan zyrtarët ukrainas dhe evropianë, të cilët frikësoheshin se ai favorizonte rëndë Moskën duke iu nënshtruar kërkesave kyçe ruse—bllokimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, njohjen e kontrollit rus mbi një të pestën e territorit ukrainas dhe kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase.
Por, pas përpjekjeve të zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas për të ngushtuar dallimet mbi planin, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të martën se Kievi ishte i gatshëm të avanconte me kornizën e mbështetur nga SHBA për t’i dhënë fund luftës dhe të diskutonte pikat e diskutueshme me Trump, në bisedime që sipas tij duhet të përfshijnë edhe aleatët evropianë.
Javën e kaluar, Trump deklaroi se Zelenskiy mund të pranonte planin amerikan ose “të luftonte deri sa t’i shteronin forcat”, por më pas ka zbutur qëndrimin duke u tërhequr nga vendosja e një afati të rreptë./mxh
