Në një moment kur politika shqiptare ka hyrë prej kohësh në një fazë cinizmi dhe riciklimi të së vjetrës, një pyetje ngrihet natyrshëm: përse demokratët e rinj nuk tregohen të sinqertë me veten dhe nuk distancohen nga berishizmi? Përse një brez që pretendon ndryshim vazhdon të ecë në gjurmët e një lidershipi të dështuar, të konsumuar dhe të kapur në mënyrë të plotë nga interesat familjare? Kjo mungesë reflektimi është bërë pengesë për çdo mundësi reale modernizimi brenda Partisë Demokratike.
Fashikujt e publikuar së fundi nga SPAK në hetimin që përfshin Belinda Ballukun nxorën në pah dy të vërteta që, në fakt, kanë qenë të ditura prej vitesh: PD nuk ka qenë kurrë realisht opozitë; ajo ka qenë pjesë e sistemit që pretendonte se luftonte. Në dokumente del qartë se një deputet i PD ka përfituar tendera nga pushteti, duke kompromentuar të gjitha pretendimet e moralitetit opozitar. Kjo nuk është një risi, por thjesht verifikimi me prova i një fenomeni të hershëm.
Po aq tronditës është fakti se numri dy i PD rezulton të ketë komunikuar me Ervis Berberin, një figurë kriminale, për të siguruar fonde nga pushteti me qëllim organizimin e molotovëve në protestat kundër Erion Veliajt. Kjo zbardhje është dëshmi e qartë se skenat e dhunës nuk kanë qenë akt revolte qytetare, por produkt i një pazari të pistë mes dy aktorëve që në publik shtiren si armiq. Në thelb, PD del të jetë vetëm shtojcë funksionale e PS, një lloj opozite e kontrolluar që ekziston për t’i shërbyer interesave të pushtetit.
E megjithatë, përballë këtyre fakteve, e çuditshme mbetet sjellja e të rinjve të PD. Ata jo vetëm që nuk distancohen, por vijojnë t’i shkojnë nga pas një lideri 81-vjeçar, i cili ka bërë të qartë se kauza e vetme që e motivon është mbrojtja e interesave të familjes së tij. Një brez i ri, i lindur pas viteve ’90, i rritur me akses në informacion dhe me pretendime për europianizim, sillet sikur nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk kupton.
Pyetja që del natyrshëm është: çfarë i mban të lidhur këta të rinj pas një projekti të vjetër dhe të konsumuar? A është mungesa e alternativës? Frika për t’u përballur me realitetin? Apo thjesht një lloj romantizmi politik që i pengon të pranojnë se Berisha nuk përfaqëson më as vlerat, as aspiratat e një opozite moderne? Çdo ditë që kalon, PD fundoset edhe më shumë në margjina, pikërisht sepse rinia e saj politike zgjedh të heshtë e të justifikojë.
Ndërkohë, realiteti është i pamëshirshëm: protestat e PD sot mbledhin rreth 300 vetë në rastet më të mira. Ky është treguesi më i qartë se berishizmi është një ide e konsumuar që nuk frymëzon më askënd, dhe se të rinjtë që vijojnë të ndjekin këtë model janë duke shkatërruar veten politikisht. Nëse brezi i ri demokrat nuk e kupton këtë tani, kur faktet janë kaq të qarta, atëherë nesër do të jetë tepër vonë për të ndërtuar një opozitë të re, të besueshme dhe me horizont. m.p.
