Gjatë mbrëmjes së kaluar, më 30 nëntor 2025, janë dëgjuar krisma armësh në qytetin e Elbasanit.
Mësohet se viktimë në atentat ka mbetur shtetasi Edmond Mëhalla, 43 vjeç, pronar i karburantit Xhaxhi Oil.
Ai ka marrë tre plumba në trup. Viktima mësohet se administronte disa biznese.
Sipas deklarimeve të marra në vendngjarje dhe kamerave të sigurisë, viktima sapo kishte dalë nga zyra e tij e karburantit dhe kishte hyrë në automjet. Autorët kanë qëlluar 3 herë me pistoletë drejt tij. Dy prej plumbave e kanë kapur në kokë.
Mëhalla ka qenë i proceduar për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rastit.
Automjeti i autorëve të dyshuar është një “Audi” me ngjyrë të zezë dhe është larguar në drejtim të aksit rrugor Elbasan-Librazhd.
Vrasja në Elbasan, reagon policia
Policia, me anë të një lajmërimi për mediat, shprehet se viktima u gjet brenda mjetit të tij. Efektivët shprehen se po punojnë për kapjen e autorit/autorëve.
“Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda në një automjet të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç.
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftim./ K.M
