Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Sofjes dhe qyteteve të tjera bullgare mbrëmjen e 1 dhjetorit për t’iu bashkuar protestave kundër planeve buxhetore të koalicionit qeverisës, duke e detyruar Qeverinë të hiqte dorë nga to mëngjesin pasues.
Por, turma gjithashtu brohoriste “dorëheqje”, për shkak të zemërimit të madh për korrupsionin dhe problemet ekonomike. Sheshi i Pavarësisë u mbush me njerëz në demonstratat më të mëdha që nga vitet e ’90-ta.
Partitë opozitare u mblodhën më 2 dhjetor për të biseduar për hapat e ardhshëm, mes thashethemeve nëse edhe ato do të kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
“E gjithë kjo gjendje me plehrat që kanë qenë në pushtet për 30 vjet, ose më shumë, thjesht duhet të mbarojë. Ne jemi njerëzit që duhet ta ndryshojmë këtë”, tha Aleksandar Karatov, një protestues në Sofje.
Pse tani? Përqendrimi i menjëhershëm i protestave ishte për shkak të një projektbuxheti që parashihte rritjen e kontributeve individuale për pensionet dhe programet e sigurimeve shoqërore. Demonstratat u thirrën nga parti të opozitës që nuk gëzojnë mbështetje të lartë publike.
Por, këto ndryshime në buxhet – të kombinuara me rritjet e pagave për punonjës shtetërorë, sikurse për forcat e rendit – duket se e nxitën shpërthimin e zemërimit të akumuluar prej kohësh për korrupsionin dhe shpërdorimin e fondeve publike.
Karatov i tha Shërbimit bullgar të REL-it se pagesat e tij për sigurimet shoqërore dhe taksat nuk po menaxhohen me transparencë.
“Si punëtor, unë tashmë po plaçkitem. Rregullisht. Dhe, ata duan të vjedhin edhe më shumë. Nuk dua kurrsesi t’i lejoj ta bëjnë këtë”, shtoi ai.
Qëndrimeve të tij u bënin jehonë shumë të tjerë, pasi protestuesit brohorisnin “Qeveria është mafi”.
Organizata ndërkombëtare, Transparency International e rendit Bullgarinë si vendin e dytë më të korruptuar në Bashkimin Evropian, pas Hungarisë. Bullgaria është gjithashtu vendi më i varfër i BE-së, sipas Zyrës së bllokut evropian për Statistika.
Ajo është edhe ndër anëtarët më të paqëndrueshëm politikisht të bllokut. Bullgarët kanë shkuar në zgjedhje shtatë herë që nga viti 2021 për të zgjedhur një Parlament që është paralizuar nga një sërë koalicionesh të paqëndrueshme të udhëhequra nga parti të ndryshme qendrore dhe të djathta.
Një protestuese tjetër, Karolina Koleva, i tha REL-it se do të pranonte taksa më të larta për t’i financuar “pensionistët, nënat, mësuesit… kujdesin shëndetësor”, por “këto para do të zhduken sërish në bonuse për njerëz të ndryshëm”. m.p.
