Last Updated on 03/12/2025 by EL
Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti sot në Pekin, në një moment kur tensionet globale dhe sfidat ekonomike i japin takimit me presidentin kinez Xi Jinping një rëndësi të veçantë.
Avioni presidencial u ul pak pas orës 17:00 sipas kohës lokale, ku Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte u pritën zyrtarisht nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi.
Vizita e Macron vjen në një moment të ndjeshëm për diplomacinë evropiane, e cila kërkon të riafirmojë rolin e saj si partner kyç për Pekinin. Para nisjes, Pallati Elysee theksoi se Franca synon të forcojë marrëdhëniet strategjike, duke vënë në dukje se Evropa “duhet të trajtohet si një partnere e rëndësishme dhe e respektuar” nga Kina.
Programi i presidentit francez në Pekin përfshin jo vetëm takime zyrtare, por edhe elemente kulturore. Ai pritet të vizitojë “Kopshtin e Perandorit Qianlong”, pjesë e rinovuar e Qytetit të Ndaluar, përpara një darke zyrtare të organizuar nga pala kineze.
Të enjten, Macron do të zhvillojë takimin e parë të nivelit të lartë me presidentin Xi Jinping në Sallën e Madhe të Popullit, ku pritet të diskutohet një gamë e gjerë çështjesh – nga siguria globale te ekonomia dhe bashkëpunimi industrial. Të dy udhëheqësit do të takohen sërish të premten në qytetin Chengdu, për një bisedë më informale, që zakonisht ofron mundësi për diskutime të hapura dhe më të drejtpërdrejta.
Delegacioni francez është i gjerë dhe përfshin gjashtë ministra – të Punëve të Jashtme, Ekonomisë, Bujqësisë, Mjedisit, Arsimit të Lartë dhe Kulturës – si dhe 35 drejtues të kompanive të mëdha franceze. Mes tyre ka përfaqësues të gjigantëve si Airbus, EDF dhe Danone, si dhe sipërmarrje të vogla e të mesme nga sektorët e luksit dhe agro-ushqimit. Prania e tyre nënvizon synimin e Francës për të forcuar dhe balancuar bashkëpunimin ekonomik me Kinën, në një kohë kur BE-ja ka ngritur shqetësime për disniveli të madh tregtar në favor të Pekinit.
Lufta në Ukrainë – tema qendrore e bisedimeve
Çështja më kritike e vizitës mbetet lufta në Ukrainë. Macron pritet që gjatë takimeve me Xi Jinping të theksojë nevojën që Kina të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë për të shtyrë drejt një armëpushimi dhe rifillimi të negociatave. Vizita zhvillohet vetëm një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin përsëriti kushtet e tij territoriale për një marrëveshje paqeje – kushte që Kievi dhe Perëndimi i konsiderojnë të papranueshme.
Edhe pse Pekini ka bërë thirrje të përsëritura për dialog, ai nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe kundërshton sanksionet e vendosura ndaj Moskës. Kina vazhdon të jetë një nga blerësit kryesorë të hidrokarbureve ruse, çka e ka ndihmuar Rusinë të shmangë pjesërisht presionin ekonomik të Perëndimit.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian vendosi sot një masë tjetër strategjike: ndalimin e importeve të gazit rus duke filluar nga vjeshta e vitit 2027, me objektivin për t’i reduktuar të ardhurat që Kremlini përdor për të financuar luftën.
Vizita e Macron synon të testojë nëse Pekini është i gatshëm të luajë një rol më aktiv në qetësimin e konfliktit. Sipas burimeve diplomatike franceze, presidenti francez shpreson të bindë Xi Jinping se stabiliteti evropian është në interes edhe të Kinës, e cila varet nga tregtia globale dhe nuk ka interes në një përshkallëzim të konfliktit.
Në ditët në vijim, pritet që të dy presidentët të diskutojnë edhe mbi çështje të tjera strategjike, përfshirë klimën, sigurinë ushqimore, shkëmbimet kulturore dhe mbrojtjen e kompanive evropiane përballë konkurrencës kineze./E.T
