Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, deklaroi se bisedat e tij të fundit me Presidentin amerikan Donald Trump i ka gjetur “interesante dhe argëtuese”, duke shtuar se mbetet optimist që udhëheqësi amerikan mund të bindë Korenë e Veriut të rikthehet në dialog.
Që prej marrjes së detyrës në qershor, Lee ka zhvilluar dy samite me Trump dhe ka finalizuar një marrëveshje tregtare që përfshin një paketë investimesh amerikane prej 350 miliardë dollarësh, pas muajsh negociatash intensive.
Gjatë një konference për shtyp me median e huaj, organizuar me rastin e përvjetorit të krizës së ligjit ushtarak të vitit të kaluar, Lee e përshkroi Trump-in si “realist, pragmatist dhe mjeshtër të arritjes së marrëveshjeve që respekton bashkëbiseduesit e tij”.
Presidenti korean ka nisur një ofensivë diplomatike për të menaxhuar marrëdhënien e rëndësishme me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara. Ai ka vlerësuar Trump-in për rolin e tij “paqebërës” në çështjen e Koresë së Veriut dhe madje i ka dhuruar një kopje të një kurore ari gjatë vizitës së tij në Seul.
Lee, i cili thotë se ndjek një “diplomaci pragmatike”, foli gjithashtu me tone pozitive për takimin e muajit të kaluar me Presidentin kinez Xi Jinping./mxh
