Last Updated on 05/12/2025 by Kesjana
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet mbi një skemë të trafikimit të armëve nga Kosova drejt territorit shqiptar, duke dërguar në gjyq 8 shtetas shqiptarë dhe kosovarë.
Sipas njoftimit zyrtar, procedimet penale nr. 1167/2024, 1167/1 dhe 1167/2 u zhvilluan ndaj të pandehurve T.Sh., G.Ll., E.M. dhe A.M., të akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” (neni 278/6 i Kodit Penal). Ndërsa shtetasit E.Th., M.K., B.K. dhe V.O. akuzohen për “Trafikim armësh dhe municionesh” (neni 278/a/2 i Kodit Penal).
Dënimet e dhëna për 3 shtetasit kosovarë
Me kërkesë të Prokurorisë, tre shtetas kosovarë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar si më poshtë:
- B.K. – 8 vite burg
- M.K. – 6 vite e 8 muaj burg
- E.Th. – 7 vite burg
Të tre janë dënuar për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”.
Pesë të pandehur të tjerë në gjyq
Për pesë shtetasit e tjerë, çështja është dërguar në gjykim për akuzat:
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” (neni 278/6 i Kodit Penal), si dhe
- Për shtetasin V.O., akuzën e “Trafikimit të armëve dhe municionit” (neni 278/a/2).
Operacion ndërkombëtar, 16 të arrestuar dhe 64 armë të sekuestruara
Hetimet nisën pas informacioneve se shtetasit B.K. dhe M.K. kishin blerë një sasi të konsiderueshme armësh të tipit pistoletë “Zoraki”, me qëllim trafikimin drejt Shqipërisë.
Në bashkëpunim me autoritetet kosovare, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore dhe me mbështetjen e Eurojust, u zhvillua një operacion ndërkombëtar ku u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municione në të dy shtetet.
Prokuroria bën të ditur se provat, përfshirë përgjimet dhe blerjet e simuluara, vërtetuan aktivitetin kriminal të të pandehurve./kb
