Një histori e veçantë është bërë publike nga gazetari Xhensil Shkembi, i cili tregon iniciativën e një djali 9-vjeçar që dikur u braktis në maternitetin e Korçës, por sot kërkon t’u sjellë gëzim fëmijëve të tjerë që vijnë në jetë në të njëjtin vend.
Para nëntë vitesh, vogëlushi u la në maternitet nga nëna e tij biologjike, pa marrë as emër. Ai u rrit me përkujdesjen e stafit dhe veçanërisht të kujdestares Rezarta Zenullari, e cila u bë figura e tij mbështetëse dhe e afërt gjatë gjithë këtyre viteve.
Sot, djali është rritur me shumë dashuri dhe ka vendosur ta shpërndajë atë tek të tjerët. Në prag të festave, ai i kërkoi Rezartës që të dërgojnë dy dhurata për foshnjat e porsalindura në maternitetin e Korçës, si një gjest simbolik për t’u uruar mirëseardhjen në jetë.
Nisma u përqafua menjëherë nga të rinjtë e Kishës Ungjillore në Libonik, të cilët vendosën ta zgjerojnë atë. Ata synojnë të mbledhin dhurata jo vetëm për foshnjat e maternitetit, por edhe për fëmijët e familjeve të varfra, me qëllim që t’i gëzojnë në këtë dhjetor.
Të gjithë personat që dëshirojnë të kontribuojnë mund të kontaktojnë gazetarin Xhensil Shkembi ose kujdestares Rezarta Zenullari në Facebook, si edhe mund të lënë dhuratat pranë Kishës Ungjillore Libonik.
Dhuratat do të shpërndahen ditët në vijim, duke u bërë arsyeja e një buzëqeshjeje për shumë fëmijë në këtë sezon festash.
