Kompania Magnum Ice Cream Company (MICC.N) u listua në bursën e Amsterdamit, ku aksionet e saj u hapën me çmimin 12.96 euro për aksion, duke i dhënë kompanisë një vlerë tregu prej 7.93 miliardë eurosh (9.24 miliardë dollarë). Ky debutim shënon përfundimin e ndarjes së shumëpritur nga gjiganti Unilever (ULVR.L).
Unilever vendosi të ndajë njësinë e akulloreve, pasi zinxhiri i saj i furnizimit me produkte të ngrira kishte pak lidhje me markat e tjera ushqimore të kompanisë, e aq më pak me produktet e kujdesit personal si Dove apo Axe. Ndërkohë, Magnum shpreson që fokusi ekskluziv te akulloret do të sjellë rritje produktiviteti dhe efikasiteti që më parë ishin të bllokuara.
Kompania konfirmoi se procesi i ndarjes u finalizua më 6 dhjetor, ndërsa gjatë së hënës pritej të publikohej raporti për përqindjen e konsolidimit të aksioneve.
Megjithatë, Magnum ka paralajmëruar se aksionet mund të përballen me presion të hershëm negativ, pasi nuk janë ende të pranueshme për përfshirje në indeksat kryesorë të tregjeve, si FTSE. Vlera fillestare e tregut ishte më e ulët se fitimet e kompanisë për vitin 2024 (EBITDA) prej 7.9 miliardë eurosh.
Ndër sfidat e trashëguara, Magnum merr me vete edhe marrëdhënien e tensionuar me markën Ben & Jerry’s. Kompania njoftoi të martën se fondacioni i Ben & Jerry’s në SHBA duhet të përmirësojë kontrollet financiare dhe qeverisjen e brendshme në mënyrë që të vazhdojë të marrë financim të plotë.
Problemi është veçanërisht i rëndësishëm për Magnum, pasi Ben & Jerry’s gjeneron rreth 1.1 miliardë euro të ardhura në vit që përbëjnë afro 14% të qarkullimit global të Magnum, krahasuar me vetëm 1.8% sa përfaqësonte brenda Unilever-it./mxh
