Disa nga muzeumet më të mëdhenj të Parisit, përfshirë “Luvrin” dhe “Muzeun Orsay”, do të qëndrojnë të mbyllur në mënyrë të jashtëzakonshme të shtunën për shkak të protestave të parashikuara në kryeqytetin francez, të cilat kanë ngritur shqetësime për përsëritjen e trazirave, bëri të ditur sot Ministria e Kulturës.
Sipas një komunikate të ministrisë, mbyllja do të prekë gjithashtu “Grand Palais”, “Muzeun Picasso” dhe “Muzeun e Oranzherisë”.
Ministria e Kulturës u ka bërë thirrje në përgjithësi të gjitha institucioneve nën varësinë e saj të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e vizitorëve, mbrojtjen e punonjësve dhe ruajtjen e veprave të artit.
Më 17 tetor, protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe në mbështetje të nxënësve të shkollave të mesme përfunduan me skena kaosi dhe plaçkitjesh në disa qytete të Francës, përfshirë Parisin.
Në prag të kësaj dite të re protestash, autoritetet premtojnë të përforcojnë masat e sigurisë dhe praninë policore, pasi u detyruan të pranonin se më 17 tetor kishin nënvlerësuar rreziqet.
Disa aktivitete janë anuluar tashmë në Paris për këtë fundjavë.
Ndër to është edhe “Mon Premier Festival”, i planifikuar të zhvillohej në qendër të qytetit.
Edhe panairi ndërkombëtar i artit bashkëkohor “Art Basel” ka vendosur të mos qëndrojë i hapur të shtunën dhe të dielën, siç ishte parashikuar fillimisht.
Bashkia e Parisit u bëri sot thirrje qytetarëve që të tregojnë “vigjilencë maksimale” të shtunën, për shkak të rrezikut të akteve të reja të dhunës nga persona që shkaktojnë shkatërrime dhe që, sipas bashkisë, nuk kanë lidhje me lëvizjen e protestës sociale./mxh
