Një zëdhënëse e Zyrës së Kryeministrit të Izraelit, Shosh Bedrosian, ka konfirmuar sot se Kryeministri Benjamin Netanyahu do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me Presidentin amerikan Donald Trump më 29 dhjetor.
Në deklaratën për mediat, Bedrosian theksoi se të dy liderët do të diskutojnë hapat e ardhshëm të planit të armëpushimit në Gaza, fazat e tij të zbatimit dhe krijimin e një force ndërkombëtare të stabilizimit që do të mbikëqyrë situatën në terren.
Sipas saj, armëpushimi aktual është rezultat i një kombinimi të “presionit ushtarak” të ushtrisë izraelite mbi Hamasin, gjatë operacioneve në Gaza City, dhe “presionit diplomatik” të Presidentit Trump ndaj udhëheqjes së Hamasit.
Zëdhënësja shtoi se faza e tretë e planit përqendrohet tek “de-radikalizimi i Rripit të Gazës”, një proces që Izraeli e konsideron të domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të rajonit.
Takimi Netanyahu–Trump vjen në një moment kyç, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po monitoron nga afër përmbushjen e kushteve të armëpushimit dhe rrjedhën e ndihmave humanitare drejt Gazës./mxh
