Last Updated on 08/12/2025 by Monika
Në Ditën e Rinisë, ish-studenti i Lëvizjes së Dhjetorit dhe aktualisht deputet i PD-së, Igli Cara, ka sjellë në vëmendje detaje nga momentet e para të rrëzimit të sistemit komunist.
Duke kujtuar ditët e protestave që nisën në dhjetor të vitit 1990, Cara u shpreh se studentët e asaj kohe nuk kishin një kuptim të plotë të pluralizmit politik, pasi gjithçka filloi si një revoltë për kushtet e jetesës në Qytetin Studenti dhe u shndërrua gradualisht në një lëvizje të fuqishme politike. Ai theksoi se edhe elita e re politike që doli në skenë ishte e formuar brenda sistemit komunist.
“Kur isha sot në Qytetin Studenti, gjëja e parë që më erdhi ndër mend ishin ato ditë. Ne atëherë nuk e kuptonim çfarë ishte pluralizmi. Protesta nisi për kushtet tona dhe më pas u kthye në lëvizje politike. Nuk ishim të përgatitur për pluralizmin, nuk kishim formimin e duhur, ndërsa klasa politike që doli ishte formuar në regjimin komunist. Megjithatë, me aq sa kishim lexuar e dëgjuar, dëshironim ndryshimin e madh,” u shpreh Cara.
Ai tha se e konsideron veten me fat që ishte pjesë e asaj lëvizjeje, duke nënvizuar se ajo nuk është pronë e asnjë partie.
“E quaj veten me fat. Çdo brez, në atë periudhë, do ta kishte bërë të njëjtën gjë. Pas 45 vitesh izolim, populli ziente, varfëria ishte në ekstrem dhe të gjitha këto përgatitën terrenin. U bashkuan shumë studentë, madje edhe ata që kishin prindër të lidhur me sistemin e atëhershëm. Ishte momenti që solli ndryshimin. Kjo lëvizje nuk është pronë e askujt, edhe pse partia që lindi e para ishte PD dhe shumë studentë iu bashkuan më pas.”
Duke reflektuar mbi periudhën 35-vjeçare, Cara u shpreh se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë, ndërsa theksoi se ndryshimet e vërteta nuk mund të vijnë vetëm nga partitë politike.
“Pavarësisht vërejtjeve të shumta, secili prej nesh pyet veten nëse arritëm aq sa duhej dhe çfarë mund të kishim bërë ndryshe. Shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë. Ajo periudhë duhet kujtuar si shembull se ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga politika. Sot mund të kontribuosh pa qenë pjesë e një force politike. Nëse presim që ndryshimin ta bëjë vetëm një parti, gabojmë. Ne kërkuam ndarjen e pushteteve i kemi sot? Jo. A kemi zgjedhje të lira e të ndershme? Këto janë çështjet që duhet të diskutojmë. Nuk duhet harruar as mbështetja e popullit të Tiranës, minatorëve, nxënësve e qytetarëve që na u bashkuan.”/mxh
