Sipas shumë qytetarëve ukrainas, çështja territoriale nuk është vetëm pika më delikate e bisedimeve mes Kievit dhe Moskës, por edhe një element i paprekshëm në sistemin ligjor të Ukrainës. Edhe sikur Presidenti Volodymyr Zelensky të pranonte një marrëveshje për lëshime territoriale, ai nuk ka kompetencën ligjore ta bëjë këtë.
Kushtetuta e Ukrainës përcakton qartë se ndryshimet në territor mund të vendosen vetëm nga populli përmes një referendumi mbarëkombëtar. Neni 73 i saj sanksionon se çdo rishikim i kufijve duhet të miratohet nga të gjithë qytetarët ukrainas, në të gjitha rajonet, në kushte të lira dhe pa presion.
Kjo përfshin edhe popullsinë që jeton në territoret e pushtuara, rreth 20% e vendit që aktualisht kontrollohet nga Rusia, përfshirë Krimenë, Donbasin dhe zona të rajoneve Zaporizhzhya e Kherson, si dhe zonat përgjatë vijës së frontit.
Një tjetër pengesë ligjore është fakti se referendumet nuk lejohen gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, çka e bën praktikisht të pamundur mbajtjen e tyre në kushtet aktuale të luftës.
Këto detyrime ligjore krijojnë një rreth vicioz në diplomacinë ndërkombëtare dhe përbëjnë një nga pikat më të vështira në çdo diskutim rreth paqes për Ukrainën./mxh
