Më shumë se 600 artefakte me vlerë të lartë janë vjedhur nga një ndërtesë në qytetin anglez të Bristolit, ku ruheshin objekte nga koleksioni i Muzeut të Bristolit për Perandorinë Britanike dhe Komonuelthin, njoftoi policia.
Sipas Policisë së Avonit dhe Somersetit, në orët e para të 25 shtatorit, katër persona dyshohet se kanë hyrë me forcë në ndërtesën ku ruheshin sendet muzeale. Vjedhja nuk ishte bërë publike më herët.
Autoritetet po kërkojnë tani ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorëve, duke publikuar pamje nga kamerat e sigurisë ku ata shihen duke ecur në një rrugë të qytetit.
“Vjedhja e kaq shumë objekteve me vlerë të madhe kulturore përbën një humbje të rëndësishme për qytetin,” tha hetuesi Dan Burgan.
Ky incident vjen pas një grabitjeje që ndodhi në muzeun e Luvrit në Paris në tetor, e cila vuri në dukje mangësi të mëdha në sigurinë e muzeut më të vizituar në botë./mxh
