Qindra fermerë grekë bllokuan hyrjen e portit të Selanikut, në shenjë proteste ndaj vonesave në dhënien e ndihmës së Bashkimit Evropian. Ndërkohë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis u bëri thirrje protestuesve të ulen në dialog.
Prej më shumë se një jave, fermerët kanë bllokuar porte, kufij dhe aeroporte, ndërsa mijëra traktorë kanë shkaktuar kaos në trafik duke mbyllur rrugë të rëndësishme, teksa presin subvencionet e BE-së. Shpërndarja e fondeve është vonuar për shkak të një skandali ku fermerë dhe zyrtarë të shtetit akuzohen për keqpërdorim të ndihmave, përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë së tokës.
Përveç krizës së fondeve, këtë vit sektori bujqësor në Greqi është përballur me kosto të larta prodhimi, dëme të mëdha në të mbjella për shkak të motit të paqëndrueshëm, si dhe shpërthimin e lisë së deleve, që ka çuar në therjen e konsiderueshme të bagëtive.
Fermerë nga e gjithë Greqia veriore u mblodhën në portin e Selanikut — porti më i madh tregtar dhe pasagjerësh në pjesën veriore të vendit, një nyje e rëndësishme për Ballkanin dhe Evropën Juglindore.
Teksa protestat vijonin, kryeministri Mitsotakis, nga foltorja e parlamentit, i ftoi fermerët në takime ditën e hënë në zyrën e tij, duke paralajmëruar se bllokadat shumëditore po dëmtojnë tregtinë dhe bizneset në vend./mxh
