Last Updated on 16/12/2025 by Kesjana
Autoritetet në Providence, Rhode Island, Shtetet e Bashkuara vijojnë kërkimin, për personin që qëlloi me armë dy studentë dhe plagosi nëntë të tjerë në kampusin e Brown University të shtunën. Policia po shkon derë më derë te banorët për të mbledhur incizime video, që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit.
Një person i dyshuar që kishte qenë i ndaluar u lirua të hënën në mëngjes, pasi hetimet e para treguan se provat nuk e lidhnin atë me krimin. Më vonë, FBI dhe Policia e Providences lëshuan video dhe fotografi të një personi tjetër të dyshuar dhe ofruan një shpërblim prej 50,000 dollarësh për çdo informacion që çon në kapjen dhe dënimin e tij. Ted Docks, agjent special i FBI-së në Boston, paralajmëroi se i dyshuari duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Universiteti Brown tha se kishte dyfishuar personelin e sigurisë, por nuk ekziston kërcënim i menjëhershëm për kampusin.
Pamjet e reja, të kapura rreth dy orë para të shtënave, tregojnë një person të veshur me rroba të errëta dhe maskë, që mbulon pjesën e poshtme të fytyrës. Disa nga imazhet u kapën pranë rrugëve Hope dhe Benevolent, shumë afër vendit ku ndodhi krimi.
Studentja Ella Cook, e cila humbi jetën në këtë sulm, ishte nga Alabama dhe njihej si një vajzë e ëmbël. Studentët e tjerë që humbën jetën ishin Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, i cili ishte student i vitit të parë, dhe Ella Cook, studente e vitit të dytë.
Si pasojë e ngjarjes tragjike, universiteti Brown anuloi të gjitha orët për pjesën e mbetur të semestrit dhe lejoi studentët të ktheheshin në shtëpi më herët. Personi i dyshuar që ishte ndaluar të dielën ka qenë “efektivisht i pastruar” nga çdo lidhje me sulmin, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Rhode Island, Peter F. Neronha. Ai sqaroi se provat shkencore nuk treguan lidhje me krimin dhe se ndalimi i mëparshëm nuk kishte bazë ligjore.
Ngjarja ka nxitur një valë solidariteti në Providence, ku Qendra e Gjakut e Rhode Island raportoi një rritje të jashtëzakonshme të donacioneve të gjakut pas të shtënave. Të dielën, u dhanë 330 donacione të kuqe, më shumë se trefishi i numrit të zakonshëm për një të diel të zakonshme, duke përfshirë shumë dhurues për herë të parë. Për më tepër, dhuruesit prenotuan 647 vizita të ardhshme, më shumë se tetë herë mbi nivelin normal.
Hetimet vijojnë dhe autoritetet bëjnë thirrje për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e të dyshuarit, duke rikujtuar komunitetin për vigjilencë dhe kujdes të shtuar në zonë./kb
