Last Updated on 18/12/2025 by Kesjana
Shirat e fundit kanë përkeqësuar kushtet e vështira të qindra mijëra palestinezëve të zhvendosur në Rripin e Gazës, njoftojnë agjencitë e OKB-së.
Zëdhënësi i UNICEF-it, Jonathan Crickx, tha për BBC-në se reshjet gjatë natës ishin “të tmerrshme”, me ujë deri në 15 cm në tokë pranë zyrës së tij. Ai shprehu shqetësim për fëmijët që jetojnë në çadra dhe strehime të improvizuara, të cilët rrezikohen nga hipotermia dhe sëmundje të tjera.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se një foshnje ka vdekur nga hipotermia dhe të paktën 11 persona të tjerë kanë humbur jetën nga shembjet e ndërtesave për shkak të motit të keq. Shumë çadra dhe strehime emergjente janë përmbytur, duke detyruar banorët të zhvendosen përsëri.
Crickx tha se shumica e një milion njerëzve që jetojnë në çadra dhe strehime të improvizuara janë zhvendosur disa herë gjatë dy viteve të fundit dhe kanë pak ose aspak rroba rezervë. “Me temperatura që zbresin deri në 7-8°C gjatë natës, fëmijët rrezikojnë të sëmuren ose edhe më keq, të humbasin jetën nga i ftohti,” shtoi ai.
UNICEF ka sjellë ndihma shtesë gjatë armëpushimit, përfshirë 250 mijë paketa rrobash dimri, 600 mijë batanije dhe 7 mijë çadra, por sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme për të përballuar nevojat e miliona njerëzve.
Zëdhënësi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal, tha se deri tani kanë humbur jetën 17 persona, përfshirë katër fëmijë, nga shembjet e ndërtesave dhe i ftohti. Ai shtoi se 17 ndërtesa banimi janë shembur plotësisht dhe 90 të tjera pjesërisht.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq theksoi se shembja e ndërtesave dhe kushtet e rënda të motit janë “shumë shqetësuese” dhe bëri thirrje për ndihmë humanitare të menjëhershme, përfshirë ushqim, strehim dhe riparim infrastrukture kritike.
Autoritetet izraelite thonë se çdo ditë hyjnë në Gaza 600-800 kamionë me ndihma humanitare dhe se janë shpërndarë mbi 310 mijë çadra dhe mbulesa plastike, si dhe më shumë se 1 mijë e 800 kamionë me batanije dhe rroba të ngrohta.
Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ku humbën jetën rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që atëherë, mbi 70 mijë 600 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite në Gaza, sipas autoriteteve lokale./kb