I ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti ngriti alarmin mbi gjendjen reale të mësimdhënies dhe përdorimit të teknologjisë në arsimin parauniversitar shqiptar. Duke iu referuar të dhënave nga testimet ndërkombëtare të OECD-së, ai deklaroi se “60% e mësuesve shqiptarë ose nuk e kanë parë kurrë kompjuterin, ose nuk dinë ta përdorin fare”, një shifër që bie ndesh me perceptimin publik për përdorim masiv të inteligjencës artificiale në shkolla.
Eksperti theksoi se mungesa e infrastrukturës është një nga pengesat kryesore. “Mësuesit nuk kanë as tabletë dhe as internet funksional në shkolla. Brenda institucionit arsimor ata nuk mund të bëjnë pothuajse asgjë, përveçse të hedhin ndonjë notë në sistemin SMIP”, u shpreh Mehmeti.
Ai shtoi se sipas rezultateve të testimit PISA 2022, Shqipëria rezulton shumë prapa vendeve të tjera pjesëmarrëse. Ndërsa, nga të dhënat e Eurostat, sipas tij, del se vetëm 20% e të rinjve shqiptarë zotërojnë aftësi bazë digjitale. “Aftësi digjitale nuk do të thotë të përdorësh rrjetet sociale, por të kuptosh dhe të punosh realisht me teknologjinë”, theksoi ai.
Sipas Mehmetit, përgjegjësia nuk mund t’u faturohet mësuesve, por sistemit arsimor, mungesës së investimeve dhe mënyrës se si raportohen të dhënat./kb
