Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar një sërë dokumentesh të reja, përfshirë një video që pretendohet të jetë xhiruar brenda një burgu, në lidhje me hetimet mbi financierin e ndjerë dhe pedofilin e dënuar, Jeffrey Epstein.
Një nga videot që është përfshirë, duket se e tregon Epstein-in duke u gjunjëzuar brenda qelisë së tij, por një hetim i kryer nga agjencia Reuters ka zbuluar se kjo video është e manipuluar dhe është një klip i krijuar me kompjuter, që u shfaq për herë të parë në rrjetet sociale në vitin 2020, një vit pas vdekjes së tij. Videoja ishte dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë nga një person që pretendonte se tregonte vetëvrasjen e Epstein-it, sipas një emaili të publikuar gjithashtu të martën.
Hetimi i Reuters tregon se ky klip nuk është autentik dhe është postuar për herë të parë në tetor të vitit 2020 nga një person që shpjegoi se pamjet ishin të krijuara në 3D.
Ky publikim i fundit përmban rreth 29,000 faqe dokumentesh, shumë prej të cilave janë të censuruara, dhe dhjetëra klipa video, përfshirë disa që pretendojnë të jenë xhiruar brenda një burgu.
Epstein u gjet i vdekur në vitin 2019, pas një vetëvrasjeje të dukshme në një burg në Nju Jork.
Ky publikim erdhi disa ditë pas një tjetër deponimi të administratës Trump, e cila publikoi një sasi të madhe dosjesh të Epstein-it në përpjekje për të zbatuar një ligj të ri që detyronte publikimin e informacionit mbi këtë çështje të ndjeshme politike./mxh
