Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e katërt, gjithnjë e më shumë burra po rrezikojnë jetën për t’u larguar nga vendi. Kriza e mungesës së ushtarëve po thellohet, ndërsa dhjetëra ukrainas çdo javë përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin drejt Rumanisë, përmes maleve të rrezikshme të Karpateve.
Viktor Pinkhasov nuk e fsheh buzëqeshjen. Pas pesë ditësh ecjeje i vetëm nëpër male, ai ia doli të largohej nga Ukraina dhe të hynte në Rumani. 34-vjeçari, ish-shofer taksie nga Kievi, thotë se nuk shihte më asnjë të ardhme në vendin e tij.
“Dua të jem i lirë, dua të jetoj,” – shprehet ai, duke shtuar se lufta nuk ka fund dhe se askush nuk duket realisht i interesuar për paqe.
Si Pinkhasovi, dhjetëra burra të tjerë po shmangin mobilizimin ushtarak, në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë të theksuar forcash në një vijë fronti mbi 1 mijë kilometra të gjatë. Sipas mediave ukrainase, autoritetet kanë hapur rreth 290 mijë çështje penale për dezertim apo largim pa leje nga ushtria.
Ligji ushtarak ndalon burrat nga 23 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi, por kjo nuk i ka ndalur përpjekjet për arratisje. Vetëm në Rumani, më shumë se 30 mijë burra ukrainas kanë kaluar ilegalisht kufirin që nga viti 2022 dhe kanë përfituar status të përkohshëm mbrojtjeje.
Por rruga drejt lirisë shpesh është vdekjeprurëse. Të paktën 29 persona kanë humbur jetën në male ose janë mbytur në lumin Tisa. Dima, 42 vjeç, humbi gishtat e këmbëve nga ngrirja, pasi u bllokua për pesë ditë në temperatura nën zero.
“Ishte tronditje kur pashë këmbët e mia. Dhimbja nuk ndalet asnjë çast,” – tregon ai.
Shumë prej këtyre burrave shpëtohen nga ekipet rumune të kërkim-shpëtimit. Dan Benga, drejtues i shërbimit Salvamont Maramures, thotë se ka shpëtuar qindra ukrainas vitet e fundit.
“Ata preferojnë të vdesin në male duke u përpjekur të ikin, sesa në luftë,” – shprehet ai. “Detyra jonë është plot empati për njerëzimin.”
Vetë Benga rrezikoi jetën një natë Krishtlindjeje, kur mbeti i bllokuar për pesë ditë në një stuhi dëbore, ndërsa përpiqej të shpëtonte të tjerë./mxh
