Negociatorët amerikanë zhvilluan të shtunën takime në Florida me zyrtarë rusë, në kuadër të një iniciative të re të administratës së Donald Trump për të çuar përpara përpjekjet drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Takimet, të mbajtura në Majami, vijnë vetëm një ditë pas kontakteve që Shtetet e Bashkuara patën me përfaqësues të Ukrainës dhe vendeve evropiane, si pjesë e një plani paqeje që ka krijuar pritshmëri të kujdesshme për uljen e tensioneve në konfliktin e nisur me pushtimin rus në shkurt të vitit 2022.
I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, mbërriti në Majami për bisedime me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në një pjesë të këtyre takimeve.
Takime të ngjashme janë zhvilluar edhe më herët në klubin e golfit të Witkoff në Hallandale Beach, pranë Majamit. Zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë kanë raportuar progres gjatë javës, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë për Kievin, megjithatë mbetet e paqartë nëse këto kushte do të pranohen nga Moska. Një burim rus theksoi se nuk parashikohet takim mes Dmitriev dhe negociatorëve ukrainas./mxh
