Prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.
Komisioni i Emergjencave Civile i Qarkut është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për monitorimin e situatës hidrike dhe, deri në këto momente, nuk është evidentuar asnjë problematikë shqetësuese.
Si pasojë e reshjeve të dendura, prurjet në përrenj dhe lumenj janë shtuar në sasi të konsiderueshme, por deri më tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet e kullimit, argjinatura, KUL dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës. Niveli i ujit në Urën e Vjetër të Bunës mbetet nën kuotën e rrezikut.
Lumenjtë Drin, Kir dhe Gjadër kanë shënuar rritje të prurjeve, por niveli i tyre është ende poshtë kuotave të rrezikut për përmbytje. Po ashtu, Rezervuari i Shkodrës ndodhet nën kuotat kritike.
Hidrovoret e Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga pesë pompa secili dhe janë në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë në rast nevoje./K.M
