Protesta e tregtarëve në Iran vijoi edhe të martën, më 6 janar, ndërsa pamje të filmuara nga dëshmitarë okularë tregojnë përleshje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Pazarin e Madh të Teheranit. Në video shihen protestues që hedhin bombola gazi, ndërsa policia ndërhyn për shpërndarjen e turmës.
Reuters konfirmoi vendndodhjen e pamjeve duke i krahasuar ndërtesat dhe konfigurimin e rrugëve me imazhe satelitore dhe arkivore të zonës.
Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 25 persona kanë humbur jetën në Iran gjatë nëntë ditëve të para të protestave, të cilat nisën në pazar si reagim ndaj rënies së fortë të monedhës kombëtare dhe rritjes së ndjeshme të inflacionit.
Të martën, shefi i policisë iraniane deklaroi se autoritetet do të “merren me të fundit nga këta trazues”, duke sinjalizuar një qëndrim më të ashpër ndaj demonstratave.
Ndërkohë, autoritetet iraniane po ndjekin një qasje të dyfishtë ndaj krizës: nga njëra anë, pranojnë se protestat për gjendjen ekonomike janë të ligjshme dhe premtojnë dialog; nga ana tjetër, në disa raste kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestat, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme në rrugë./mxh
