Downing Street ka konfirmuar se Britania e Madhe është e gatshme të dislokojë forca ushtarake në Ukrainë në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Në një deklaratë zyrtare, kryeministri britanik Keir Starmer tha se ky hap përfaqëson një angazhim të fortë dhe afatgjatë për të qëndruar krah Ukrainës.
“Ky është një element jetik i angazhimit tonë të palëkundur për të mbështetur Ukrainën në planin afatgjatë,” u shpreh Starmer.
Sipas tij, deklarata hap rrugën për krijimin e kuadrit ligjor që do t’u lejojë forcave britanike, franceze dhe partnere të tjera të operojnë në territorin ukrainas. Qëllimi është garantimi i sigurisë së hapësirës ajrore dhe detare të Ukrainës, si dhe rindërtimi dhe modernizimi i forcave të armatosura ukrainase për të ardhmen.
Në deklaratën e Downing Street thuhet gjithashtu se “Forca Shumëkombëshe për Ukrainën” do të veprojë si një forcë sigurie dhe garantuese pas një armëpushimi të mundshëm, duke ndihmuar vendin të rikthehet drejt paqes dhe stabilitetit.
Britania dhe Franca planifikojnë krijimin e qendrave ushtarake në disa zona të Ukrainës, të cilat do të shërbejnë për dislokimin e forcave, si dhe për ndërtimin e strukturave të mbrojtura për armë dhe pajisje ushtarake, në mbështetje të nevojave mbrojtëse të Kievit./mxh
